Deputetja e PS: Djali im me koronavirus, është shtruar tek Infektivi
Mes 104 personave të prekur me COVID-19 është edhe djali i deputetes së Partisë Socialiste, Antoneta Dhima. Ligjvënësja socialiste, pas publikimit të lajmit, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ku ka pranuar se djali i saj është pozitiv ndaj këtij virusi. Duke lënë mënjanë politikën, ajo për pak çaste bën apel si nënë të qytetarët të tregojnë kujdes që të fitojnë këtë luftë të ashpër.
Djali i saj, i moshës rreth 25 vjeç, ka qenë në Tiranë, dhe më pas është kthyer në Fier ku i kanë nisur simptomat. Aktualisht deputetja ndodhet në shtëpinë e saj në karantinë.
MESAZHI I DEPUTETES
Të nderuar miq.
Pas publikimit të një informacioni të dhënë miqësisht, më lind e drejta që në këtë situatë jo shumë të këndëshme të ndalem edhe unë me pak fjalë.
Si qytetarë që punojmë e jetojmë në këtë vend, nuk jemi të përjashtuar nga asgje, aq më tepër nga semundjet dhe “armiqtë e padukshëm”.
Është e vërtetë që im bir ka rezultuar pozitiv ndaj testit të COVID-19, dhe tashmë ndodhet në mjediset e Spitalit Infektiv nën kujdesin e mjekëve, pas disa ditëve karantinë në shtëpi.
E ndodhur përballë këtij fakti, si nënë, kam bërë gjthçka munda për të evitur kontaktet e tim biri me persona të tjerë, ndërsa u pa e arsyeshme që ai të qëndronte nën kujdesin e mjekëve.
Besimplotë se falë punës dhe përkushtimit të mjekëve dhe infermierëve , gjithcka do të shkoj siç duhet, doja t’ju thosha të gjithëve që të tregoheni të kujdessshëm, të zbatoni rregullat dhe respektoni vendimet e marra.
Edhe pse ende nuk e di se si im bir është prekur nga ky virus, këshilla si nënë është të ruani veten, pasi vetëm kështu mund ta fitojmë këtë luftë, të ashpër por jo të pamundur!