Deputetja kundër kolegëve të partisë. Halimi: “Pse kundërshtoj testimin psikologjik të mësuesve”
Brenda 9 muajsh të gjithë mësuesit dhe edukatorët e sistemit publik dhe privat do të futen në një testim profesional dhe psikologjik.
Tre deputetet Bregu, Vokshi dhe Doda kanë paraqitur në Kuvend tre nisma ligjore që synojnë të forcojnë masat e dënimit ndaj personave që abuzojnë me fëmijët. Njëra prej nismave parashikon dhe testin psiko-emocional të mësuesve dhe edukatorëve.
Por, jo të gjithë janë pro këtij vendimi. Deputetja e Partisë Demokratike, Arbjola Halimi, njëkohësisht dhe pedagoge e Testimit Psikologjik dhe Psikologe Klinike, deklaron se është kundër testimit psikologjik të mësuesve dhe jo sepse është plan i qeverisë por për një sërë arsyesh, të cilat i rendit më poshtë.
Në një status në profilin e saj në facebook, deputetja nënvizon si arsye kundër vendimit, se përdorimi i instrumentave psikologjike në masë, sipas saj krijon implikime të mëdha që lidhen drejtëpërdrejtë me të drejtat e njeriut.
Ajo shton më tej se: “Janë jo etike pasi janë vlerësime që bëhen vetëm në kushte të një konfidencialiteti të plotë si dhe mbartin gjithnjë rrezikun e subjektivitetit e keqinterpretimeve”.
Pikë tjetër ku ndalet deputetja Halimi, është se në Shqipëri nuk ka aq psikologë klinikë për të bërë vlerësime të tilla. Si eksperte e fushës, ajo pohon se të tilla testime, kërkojnë njohuri mbi instrumentat matës dhe vlerësimin psikologjik. Thënë ndryshe, Hailimi deklaron se në vendin tonë, këto i kanë të dobëta duke qenë se kjo kërkon një kualifikm më vete pas graduimit.
Deputetja, nënvizon më tej se:”Për një vlerësim të tillë nga mjekët psikiatër as që bëhet fjalë pasi njohuritë e tyre janë edhe më të vjetëruara dhe të përqendruara kryesisht në somatike”.
Arsye tjetër që rendit, znj.Hailimi është se vlerësimi psikologjik i subjektit për të matur përputhshmërinë profesionale me karakterin bëhet vetëm gjatë aplikimeve në Universitet paralel me testet për njohurinë dhe asnjëherë më vonë. “Ndërkohë që vlerësimi psikoemocional është një matje e klinikës në psikologji që lidhet gjithnjë me matjen e shëndetin mendor”.
R.SH
KOHA JONË SONDAZH

