Deputetja Suzana Topi: Vota ime është pro marrëveshjes. Nuk mund të bllokojmë integrimin në BE
Pas Lefter Maliqit, një tjetër deputete e pavarur deklaron votën pro marrëveshjes për reformën zgjedhore. Suzana Topi shprehet në një reagim në Facebook se vota e saj, “do të jetë PRO kësaj marrëveshjeje”. Ajo shton se votimi pro i këtij pakti politik do të thotë integrim i Shqipërisë në Europë. “Unë dua që opozita jashtë parlamentit të kthehet në institucione pasi Rilindja ka kapur të gjitha pushtetet si atë ekzekutiv, legjislativ, drejtësinë, pushtetin vendor”.
Deklarata e plotë e deputetes së pavarur Suzana Topi:
Të dashur miq! Dua të përshëndes marrëveshjen e këshillit politik për Reformën Zgjedhore e firmosur nga të gjithë aktorët politikë, e cila mori bekimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE. Sigurisht që kjo reforme ka nevojë të përmirësohet më tej për të bërë votime me lista të hapura, për pjesëmarrjen e emigrantëve në votime, për implementimin e sistemit elektronik në votime. Vota ime si deputete e pavaruar nga asnjë grup parlamentar do të jetë PRO kësaj marrëveshjeje, sepse unë dua integrimin e Shqipërisë në Europë, sepse unë dua që opozita jashtë parlamentit të kthehet në institucione pasi Rilindja ka kapur të gjitha pushtetet si atë ekzekutiv, legjislativ, drejtësinë, pushtetin vendor.
Parlamenti që duhet të jetë tempulli i demokracisë është i kapur, aty janë votuar ligje antikushtetuese për PPP, Konçesione, Ligji i Antishpifjes për mediat, është ngritur komision hetimor për Presidentin e Republikës , janë votuar ligje që cëeojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Kjo marrëveshje i shërben demokracisë për ti hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme! Me këtë marrëveshje fiton opozita e bashkuar fitojnë Shqiptarët!”.
Gjatë ditës së sotme, Lefter Maliqi deklaroi se Edi Rama po ushtron presion mbi deputetët që të mos votojnë marrëveshjen. Ai i bëri thirrje ambasadores së SHBA që të ndërhyjë për të mos lejuar bllokimin e votimit në Kuvend.
“Ambasadorja të shikojë prapaskenën e këtij njeriu (Edi Ramës), sepse këta deputetë të opozitës së re, mbi 20 deputetë i ka pas dhe i ka në rresht. Rama nuk do as listë me sistem të hapur as marrëveshje që atë e kthen në minorancë. Unë jam për lista të hapura. Unë do votoj, sepse votoj marrëveshjen e të gjitha palëve, të firmosur nga Hajdari dhe jam për zgjedhje të menjëhershme. Unë jam për marrëveshjen e realizuar, nëse duan lista të hapura edhe për lista të hapura jam dhe do ta vazhdoj betejën. Jam që vendi të kalojë sa më parë në zgjedhje, sepse timoni dhe tepsia e këtij kryeministri ka marrë fund. Nuk humb PS, por Rilindja, nuk fiton PD, por fiton opozita e bashkuar”,- tha Maliqi.
Edhe deputeti Adriatik Alimadhi e ka cilësuar të panevojshëm bllokimin e marrëveshjes nga deputetët e tjerë në Kuvend. Ai deklaroi se një pjesë e opozitës parlamentare po ndjek lojën e Edi Ramës për të mos zgjidhur krizën politike në vend.