Der Spiegel: Rama mban pushtetin përmes krimit të organizuar

“Të turpëruar nga Brukseli”, e titullon “Der Spiegel” artikullin dedikuar refuzimit të BE për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Premtimi i thyer i Brukselit mund të nisë pasoja serioze në dy vendet ballkanike dhe shumë liderë të BE kanë folur për një gabim historik”, shkruan Keno Verseck i “Der Spiegel”. Veçanërisht i hidhur refuzimi ka qenë për Maqedoninë e Veriut sipas medias gjermane që përmend kompromisin e dhimbshëm për emrin dhe të ardhmen e pasigurt të vendit, nëse nacionalistët rikthehen në pushtet.

Por sa i përket Shqipërisë, vijon “Der Spiegel”, refuzimi është më i kuptueshëm. Media drejton gishtin nga ai që e quan stili autoritar i kryeministrit Edi Rama.

“Reforma në drejtësi dhe sundimi i ligjit në vend ka ngecur, dhe kryeministri socialist Edi Rama, në detyrë që nga viti 2013, dyshohet se ka mbajtur partinë e tij në pushtet përmes krimit të organizuar, veçanërisht mafies së drogës. Vetë Rama, i njohur në Perëndim për paraqitjet e tij me atlete dhe i admiruar si një artist, kultivon një stil gjithnjë e më autoritar në politikën e brendshme”.

Sipas “Der Spiegel”, veçimi i Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, do të kishte qenë një mundësi që BE të ruante besueshmërinë e saj në rajon. Ndërkaq, “Financial Times” e quan një gabim historik votën kundër vendeve të Ballkanit . “Arsyet e presidentit Macron për reformën e unionit dhe të procesit të anëtarësimit, nuk duhet të përbënin kundërshti për nisjen e bisedimeve, të cilat deri në përmbushje kërkojnë të paktën 10 vjet, kohë e mjaftueshme për t’i rishikuar e rregulluar sipas sugjerimeve të presidentit francez”, thotë prestigjiozja britanike.

 

SHKARKO APP