“Der Tagesspiegel”/ Merkel synon të ndalë shkëmbimet territoriale Kosovë-Serbi

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini mbështet një shkëmbim territorial mes Serbisë dhe Kosovës, por Merkel e kundërshton atë. Së afërmi do të ketë një samit në Berlin.

Nga Albrecht Meier*

Tashmë kur kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë thirrur më 29 prill në Berlin një samit për Ballkanin Perëndimor, diskutimi ka filluar të sillet kryesisht rreth një pyetjeje: “A është një shkëmbim territoresh mes shteteve përgjatë vijave ndarëse etnike, një mjet i përshtatshëm për zgjidhjen e konflikteve në shekullin e XXI?” Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mbështesin një shkëmbim të tillë territorial midis vendeve të tyre, ndërsa Merkel e kundërshton fuqishëm atë.

Në vitin 2008, ish-krahina serbe e Kosovës shpalli pavarësinë kundër vullnetit të Beogradit. Të dy vendet janë ende larg normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Vjeshtën e kaluar Vuçiç dhe Thaçi bënë propozimin për të çuar përpara bisedimet të normalizimit në mes të dy vendeve përmes shkëmbimit të territoreve. Sipas planit Serbia duhet të marrë zonat në veri të Kosovës të banuara nga serbët. Në kthim, zonat e banuara kryesisht nga shqiptarë në fshatrat në jug të Serbisë t’i shtohen Kosovës.

Në atë kohë, kur krerët e Serbisë dhe të Kosovës bënë propozimin, Merkel kundërshtoi qartë idenë për një shkëmbim territorial. “Kufijtë ekzistues janë “të pacenueshëm”, – tha kancelarja në atë kohë, citon lapsi.al. Merkel ka frikë se një demarkacion i ri midis Serbisë dhe Kosovës mund të provokojë gjetkë në Ballkan ri-rregullime të rrezikshme përgjatë vijave etnike.

Në Tiranë, për shembull, kryeministri Edi Rama ushqen fantazitë e Shqipërisë së Madhe duke përfshirë shqiptarët në Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi. Shefi i qeverisë shqiptare është edhe mes atyre që janë ftuar nga kancelaria Merkel dhe Macron në darkën selinë e Kancelares në 29 prill së bashku me Vuçiç dhe Thaçin, mbështetësit e shkëmbimit të territoreve.

Përveç tyre, krerët e shteteve të 3 vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bosnjë Herzegovinës, Maqedonisë dhe Malit të Zi marrin pjesë në darkën jozyrtare. Lista e të ftuarve përfshin edhe kryeministrin kroat, Andrej Plenkovic dhe kryeministrin slloven Marjan Sarec.

Me këtë konferencë të nivelit të lartë, qeveria federale gjermane tregon se dëshiron ende të ketë një zë të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë ka pasur edhe thashetheme se Macron, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin kanë marrë vetë në dorë të ardhmen e rajonit që dëshiron integrimin në BE, por ndodhet edhe nën presionin e Risisë, Turqisë dhe Kinës.
Edhe CDU ka kritikuar Mogherini-n

Komisionerja evropiane për zgjerimin, Federica Mogherini do të jetë pjesë e takimit. Roli i italianes është i diskutueshëm. Ishte ajo që si koordinatore e BE në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka folur hapur për një shkëmbim territoresh mes dy vendeve. Në këtë mënyrë po fryjnë erëra të forta kundër Berlinit.

“Mogherini ka “shtyrë planet e rrezikshme për shkëmbim territoresh” – ishte kritika e zëvendësit të lideres së CDU/CSU, Johann Wadephul.

“Nuk ka absolutisht asnjë garanci që ndryshimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve do të limitohen vetëm mes Kosovës dhe Serbisë” i tha Wadephul gazetës “Tagesspiegel”, citon lapsi.al.

Sipas tij, një shkëmbim i territoreve “do nxiste një përplasje në Ballkanin Perëndimor duke sjellë një destabilitet të ri, ku përfshihen konflikte etnike dhe ndoshta edhe konflikte të armatosura”.

Edhe eksperti i “Greens-Eastern Europe”, Manuel Sarrazin e mbështet. “Kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë të paprekshëm. Një shkëmbim territorial mes Kosovës dhe Serbisë është tabù dhe duhet të mbetet i tillë”.

I hapur përpara takimit është vetëm pozicioni i Macron

Vëzhguesit tashmë po presin darkën në selinë e kancelares që në 29 prill do të tregojë, pavarësisht pozicionit të Komisioneres për Çështjet e Jashtme Mogherini, se nuk është e mundur që të kryhet një demarkacion i ri me objektivin e arritjes së zonave “etnikisht të pastra” në Ballkanin Perëndimor.

“Ne do t’i zgjidhim problemet etnike në Europën e shekullit XXI përmes një politike të zgjuar për pakicat me një stil gjithëpërfshirës të politikës.” – thotë Wadephul.

Nuk është e qartë se cili është pozicioni i Macron në diskutimin për shkëmbimin e territoreve. Në Francë ka shumë simpati për një demarkacion të ri. Ish-ministri i Jashtëm, Bernard Kouchner deklaroi në shtatorin e kaluar se shkëmbimi i territoreve është “një zgjidhje e mirë”. “Komuniteti ndërkombëtar nuk ka të drejtë që të ndërhyje mes Thaçit dhe Vuçiç” – tha Kouchner, që konsiderohet si një njeri i besuar i liderit të Kosovës.

Ekspertët: Ballkani perëndimor po bie ekonomikisht

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Dušan Reljic nga “Science and Politics Foundation” e sheh të paaftë BE-në që për vite me radhë nuk e vuri re rrjedhjen e shtresës së mesme jashtë këtij rajoni duke çuar në plakjen e Ballkanit Perëndimor.

“Nuk ka konvergjencë, por një divergjencë në rritje mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” – thotë ai. Premtimi i BE-së se jetesa do të përmirësohet automatikisht me perspektivën e para-anëtarësimit tashmë është venitur.

Mes 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor është më e mundshme që Serbia dhe Mali i Zi të arrijnë hyrjen në BE. Vitin e kaluar Komisioni Europian premtoi të përfshinte të dy vendet brenda vitit 2025. Këtë vit Komisioni Europian nuk dëshiron të publikojë relacionet e saj të progres-raportit për Ballkanin Perëndimor gjë që do ta bëjë pas zgjedhjeve europarlamentare. Me këtë rast, autoritetet në Bruksel do të evitonin edhe diskutimet e bezdisshme për zgjerimin me vende të Ballkanit që i afrohen Unionit. *marrë nga “Der Tagesspiegel” 

SHKARKO APP