Dervishaj: Tre shkeljet e kryera nga Kuvendi. Falsifikoi datën e urdhrit për thirrjen e seancës plenare për të plotësuar afatet
Pasi Gjykata Kushtetuese mbylli dëgjesat e palëve, brenda 30 ditëve do të japë vendimin final për shkarkimin apo jo të Presidentit Ilir Meta. Nga Presidenca, këshilltari ligjor Bledar Dervishaj, në një konferencë për mediat tha se Kuvendi i Shqipërisë ka kryer tre shkelje ditën e ngritjes së Komisionit Hetimor kundër Presidentit Meta.
Sipas Dervishajt, manipulimi lidhet me urdhrin e lëshuar nga ish-kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. ku vendoset data 5 maj në vend të datës 6 për përcaktimin e rendit të ditës për të legjitimuar seancën e 7 majit. Po ashtu ai thotë se ky manipulim është bërë me qëllim që të përmbushej kushti për caktimin jo më vonë se në 48 orët e fundit.
”Shkelja apo manipulimi i parë, urdhri që Kuvendi i vendosi në 4 shkurt Gjykatën Kushtetuese. Si çdo urdhër ka të përcaktuar në pikën 20 rendin e ditës, ku përfshihet projekt-vendim për raportin dhe propozimin e komisionit për çështjet ligjore. Këto prova shtesa nuk ia kërkoi Kushtetuesja as Presidenca. Bëmë një krahasim të përmbajtjes së këtij urdhri me urdhrin që vetë Kuvendi ka depozituar në faqen e tij që prej majtit 2021. Nuk kemi më datën 05/05, por 06/05. A mos lidhet kjo me një nga shkeljet? Të gjitha dyshimet aty të çojnë”.
Sipas tij mbledhja e Komisionit të Ligjeve është bërë më 6 maj 2021, ndërkohë që në dokumentin e dorëzuar të premten e kaluar është bërë një falsifikim dhe thuhet se urdhri për miratimin e raportit të këtij komisioni është bërë më datë 5 maj 2021. Dervishaj i cili publikoi edhe dokumentet që sipas tij vërtetojnë këtë falsifikim thotë se këtë urdhër që Kuvendi e dorëzoi në datën 4 shkurt 2022, janë bërë disa ndryshime në thelb.
”Të gjitha këto veprime të Kuvendit nuk ka sesi që kemi të bëjmë me një manipulim prove. Kuvendi kërkonte të justifikonte në Kushtetuese se Presidenti gaboi me pretendimet se ishin në shkelje të afateve për ngritjen e Komisionit Hetimor dhe për miratimin e raportit të Komisionit të Ligjeve”.