Dëshmia tronditëse nga COVID 2, Basha i kthehet ashpër Qeverisë: Boll më me propagandë dhe gënjeshtra!

Një dëshmi tronditëse dhe thirrje të dëshpëruara për ndihmë nga një djalë i ri nga Elbasani që pret të shtrojë nënën e tij me COVID-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ka ngjallur reagime të forta pasditen sotme në opinionin publik.

I riu tha mes lotësh për gazetarin e “Neës24” Erjon Skëndaj se nëna e tij po bënte disa orë që priste në ambulancë, pasi urgjenca nuk ka vende.

Duke iu referuar kësaj ngjarjeje, në një reagim përmes rrjeteve sociale, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehet se kjo dëshmi është tragjikisht e vërteta e tmerrshme që po përjetojnë të sëmurët me covid dhe familjarët e tyre.

Teksa publikon në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Basha shprehet i tronditur nga këto pamje, pasi siç thotë ai, dhimbja e këtij djali që lufton për të shpëtuar jetën e nënës së tij, të thyen zemrën.

“Jam shumë i tronditur nga këto pamje. Dhimbja e këtij djali që lufton për të shpëtuar jetën e nënës së tij, të thyen zemrën. Kjo është tragjikisht, e vërteta e tmerrshme që po përjetojnë të sëmurët me covid dhe familjarët e tyre. Nuk duhet të kishim ardhur në këtë pikë! Kësaj i druheshim, prandaj kërkuam prej fillimit të merreshin masa serioze dhe të  bëhej gjithçka për ti dalë të keqes para. Boll më me propagandë dhe gënjeshtra. Janë jetë njerëzish që kur ikin nuk kthehen më!”, shprehet kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Me zërin që i ngashërehej, djali tha se nuk mund të shoh nënën e tij duke vdekur në ambulancë si kafsha, pasi jetën ia kishte falur Zoti.

Po ashtu i riu pohoi se nënës së tij nuk i është bërë ende tamponi dhe se kishte harxhuar 600 mijë lekë deri tani dhe nuk ishte rimbursuar.

“Është në makinë. I kemi marre vet ca bombola të vogla oksigjeni. I kemi mbushur këtu matanë. Shkarko e jep. Nuk ka vende të urgjenca. Cilët të heqim, cilët të vëmë! Pse nuk u morën masa? Pse duhet të presim? Pse ta shoh ashtu duke vdekur?! Jo në makinë si kafsha, se Zoti ia dha jetën. Ça do bëhet morë se po na plas shpirti. Nuk po durojmë dot më, u bënë ditë të tëra. Asnjë mjekë s’na e hap derën. Mirë që qëllojnë ça njerëz të urgjenca. Elbasani me një mjek specialist, ça bëhet kështu. Këtu as që merret vesh fare asgjë. Këtu është me radhë. Nëna është 70 vjeçe. Diabetin ka, por se ka pasur të lartë. Nuk e di. Se përballonim dot as nga ana ekonomike. Thonë se do rimbursohet. Tamponin s’na e bënë. Skanerin e bëra vet. Kam harxhuar 600 mijë lekë, i kam blerë në treg të zi. S’ka asnjë rimbursim.”, tha i riu.

SHKARKO APP