Dështimi i negociatave, Berisha-Alibeajt: Ai që prek flamurin e PD-së, i ka bërë hesapet shumë keq
Pas qëndrimit të shprehur nga grupi i Alibeajt, të cilët thonë se nuk kanë gjetur frymë bashkëpunimi me grupin e Sali Berishës për zgjedhjet lokale që të dalin me kandidat të përbashkët, kreu i demokratëve, thotë hapur dhe qartë, se ai që prek flamurin e PD i ka bërë hesapet shumë keq. Në një prononcim nga selia blu për gazetarët, Sali Berisha tha se grupi i Alibeajt nuk dëshiron që të njohë statutin dhe primaret.
“Opozita nuk mund të pengohet nga asgjë për të firmosur fitoren në këto zgjedhje. Zotërinj që janë deputet u ftuan ose erdhën pa asnjë paragjykimi dhe prapamendimi, që të bashkohen nëse donin të garonin për çdo post në këto bashki, të paraqisin kandidatura ose në përputhje me statutin të krijonin fraksionin, por ata nuk duan mesa duket, ato nuk duan as statutin e as primaret. Ai që prek flamurin e PD i ka bërë hesapet shumë shumë keq, do e shihni ditët e ardhshme”, tha Berisha.
Dy grupet në Partinë Demokratike nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, pra që të dilnin me një kandidat të përbashkët. Grupi i Enkelejd Alibeajt thotë se nga pala tjetër në tryezë u vu kushti i njohjes së statutit të 11 Dhjetorit, pra njohja e Sali Berishës si kryetar i PD-së. Nisur nga kjo situatë, grupi Alibeaj ka kërkuar të informohet Kryesia e Partisë Demokratike (partisë së tyre) që ata do të dalin me kandidatët e tyre në zgjedhje, si në rastin e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit në 6 bashkitë e vendit.