Dështimi me negociatat, Rama: Në Francë janë thirrur 4 ambasadorë
Në prezantimin e paketës speciale AntiKÇK tek ArTurbina, kryeministri Edi Rama u ndal gjatë fjalës së tij edhe tek Integrimi i Shqipërisë në BE dhe tek moshapja e negociatave. Rama thotë se në Francë janë thirrur 4 ambasadorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, lidhur me qëndrimin e Francës në raport me procesin e zgjerimit dhe mënyrën sipas Francës duhet të rikonfigurohet i gjithë procesi. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ripërsëriti se moshapja e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut lidhet me procesin e brendshëm të BE.
”Fakti që Gjermania konkludoi me një PO të Bundestagut është një provë që përpjekjet tona rezultuan të suksesshme dhe nga ana tjetër duke u përqendruar tek ajo po them se na është dhënë mundësia të kemi një udhërrëfyes në procesin që vazhdon. Ajo që ndodhi natyrisht nuk mund të mos e trondiste opinionin publik dhe nuk mund të mos krijonte një ndjesi mërzie të ndarë një pjesë ndaj qeverisë, një pjesë ndaj faktorëve të tjerë brenda ose jashtë. Ka shumë versione për këtë. Unë si dëshmitarë i gjithë procesit mund të dëshmoj se refuzimi ishte rezultat i një konflikti të brendshëm BE që lidhet në qëndrimet divergjente mes Francës dhe Gjermanisë për mënyrën si duhet të reformohet BE. Kaq e vërtetë është kjo sa në Paris janë thirrur 4 ambasadorët, të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dhe Malit të Zi. Janë thirrur për të çelur një dialog lidhur me qëndrimin e Francës në raport me procesin e zgjerimit dhe mënyrën sipas Francës duhet të rikonfigurohet i gjithë procesi. Ne e kemi humbur këtë trend të 2019 në funksion të kësaj divergjence. Ajo që mbetet për tu theksuar është se pavarësisht vendimit, Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë në rast se vendimi do kishte qenë pozitiv. Në fund të ditës e kemi shprehur se për ne procesi i integrimit nuk është një proces që e bëjmë se na i kërkojnë të tjerët, apo për të arritur në një stacion, por është një proces që e bëjmë sepse është në interes të vendit tonë”.