Dështon procesi i akeditimit të universiteteve brenda afatit të premtuar nga Rama
Kryeministri Rama premtoi në mes të dhjetorit të shkuar se në janar të këtij viti do të niste procesi i akreditimit të universiteteve publike e private. Për këtë proces u kontraktua agjencia britanike “Quality Assurance Agency for Higher Education”. Kryeministri e quajti emergjencë kombëtare kryerjen e akreditimit, duke u përpjekur të justifikonte edhe nxitimin për të nisur menjëherë nga puna. Por kanë kaluar 3 muaj dhe asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim. Agjencia britanike nuk ka nisur nga puna. Raporti i britanikëve nuk do të paraqitet i plotë në muajin korrik. Një pjesë e tij do të publikohet në muajin tetor, raporton ABC Neës. Përse kjo vonesë? Burime të lapsi.al bëjnë të ditur se agjencia britanike ka refuzuar ta kryejë procesin brenda kohës së kërkuar nga qeveria shqiptare me argumentin se koha është e pamjaftueshme për të patur një pasqyrë të plotë të gjendjes së universiteteve. Megjithë këmbënguljen e qeverisë, britanikët nuk kanë pranuar ta paraqesin raportin në fund të korrikut. Kjo qasje e britanikëve e ka shqetësuar jo pak kryeministrin, i cili premtimin e tij për nisjen e procesit në janar e bëri publik gjatë nënshkrimit të marrëveshjes më 18 dhjetor. Për këtë arsye, Rama nuk i ka kursyer kritikat ndaj stafit të Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Lapsi.al mësoi se si pasojë e kritikave një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të ministres dha dorëheqjen pak javë më parë, por ajo iu refuzua. Nga shtyrja e procesit të akreditimit, studentët shqiptarë nuk do të kenë mundësi as sezonin e ardhshëm të mësojnë se cila është gjendja e universiteteve, çka do t’i orientonte ata në përzgjedhjen e tyre.