Dështon rezoluta e përbashkët Shqipëri-PE

Opozita ka kundërshtuar formulimin e variantit përfundimtar të saj, ndërsa mazhoranca dhe eurodeputetët kanë qenë dakord me rezolutën prej 3 paragrafesh, ku theksohet edhe nxitja për zbatimin e marrëveshjes për dekriminalizimin. 

Por deputetët e opozitës kërkuan që në këtë draft të ishte i përmendur nominalisht se Ilir Meta është i akuzuar nga një deputet i Parlamentit shqiptar si porositës i dy vrasjeve. Jo vetëm mazhoranca, por mësohet se edhe eurodeputetët kanë kundërshtuar këtë variant dhe mbledhja ka qenë po aq e tensionuar sa një ditë më parë. Në një deklaratë për shtyp, të mbajtur në përfundim të takimit, përfaqësuesja e delegacionit të Parlamentit Europian, eurodeputetja Monica Macovei ka deklaruar se, Shqipëria ka arritur progres në implementimin e kritereve të integrimit, si dhe ka shprehur mbështetjen e plotë përr integrimin e saj në BE. 

Ka dështuar miratimi i një rezolute të përbashkët Shqipëri-PE, në përmbyllje të takimit të tetë ndërparlamentar. “Kemi patur diskutime të frytshme në ditën e dytë të takimit. Të gjithë mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe kjo mbështetje do të vazhdojë, pavarësisht se disa parti na akuzojnë edhe neve në PE. Integrimi në BE është e vetmja alternativë për Shqipërinë”, ka deklaruar Macovei. 

Swiss Digital Desktop Reklama

Eurodeputetja rumune ka nënvizuar se, për realizimin e reformave që rrjedhin nga procesi i integrimit është i rëndësishëm dialogu dhe konsensusi politik. Nuk ka kaluar pa u prekur edhe çështja e dekriminalizimit të Parlamentit, për të cilën eurodeputetja tha se duhet të jetë më gjithëpërfshirëse. “Të pastrohet jo vetëm Parlamenti, por edhe administrata, policia, doganat etj”, ka thënë Macovei.  Pasi ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit, përfaqësuesja e delegacionit europian ka komentuar edhe akuzat e ngritura ndaj Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. “Të bëhet hetimi i akuzave mes palëve. Hetimi mund të kërkojë kohë, por mund të bëhet nëse keni guxim”, ka shtuar ajo. 
Ndërsa deputeti socialist Taulant Balla, në të njëjtën deklaratë për shtyp, ka thënë: “E konsiderojmë dhënien e statusit si njohje e hapave dhe reformave dhe testim për hartimin e reformave të mëtejshme”. 

Swiss Digital Mobile Reklama

“Mbështesim marrëveshjen e dhjetorit të ndërmjetësuar nga PE dhe bëjmë thirrje për zbatimin e saj në kohë. Ndërkohë, duhet konsensus dhe dialog politik për reformat e integrimit”, ka shtuar Balla. 
Më tej, deputeti socialist ka bërë me dije se delegacioni europian ka vlerësuar progres në: luftën kundër krimit, korrupsionit, reformimit të administratës, gjyqësorit dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. “Data e hapjes së negociatave për anëtarësim do të jetë lajmi i radhës për shqiptarët”, u shpreh deputeti Balla. 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?