Desir mbështet Ramën ndërsa Brukseli i kërkon të punojë me Këshillin e Europës
Në një seri mesazhesh në Twitter, përfaqësuesi i OSBE për lirinë e Medias, Harlem Desir la të kuptohet se qeveria ka mbështetjen e tij për projektligjet kontroverse të medias. Por paralelisht me deklaratën e tij, Komisioni Europian në Bruksel i kërkoi qeverisë të konsultohet me Komisioneren e Lartë të Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut.
Kryeministri Edi Rama mori pak lehtësim nga një deklaratë dykuptimëshe e përfaqësuesit të OSBE-së për lirinë e Shprehjes Harlem Desir, i cili deklaroi se ka punuar me Ramën për projekligjet kontroverse të medias ndërsa argumentoi se “puna po vijon për reduktimin e gjobave,” një deklaratë dukshëm mbështetëse për pozicionin e qeverisë, por që rezulton shumë e ndryshme nga deklarata e Komisionit Europian që erdhi pak orë më parë.
Ndërsa socialistët ecin drejt përplasjes me shoqërinë civile, gazetarët dhe me shumë institucione ndërkombëtare, pasi kanë vendosur të shkojnë në parlament të mërkurën për të miratuar dy projektligjet kontroverse, një numër organizatash shqiptare të shoqërisë civile publikuan një deklaratë të re mbrëmjen e së Martës duke kërkuar nga qeveria të ndjekë këshillën e Komisionit Europian si dhe duke falënderuar Komisionin për qendrimin e qartë të mbajtur në këtë çështje.
“Kemi punuar me Kryeministrin Edi Rama dhe me Qeverinë e Shqipërisë deri në çastin e fundit për të përmirësuar projetktligjet mbi mediat dhe për t’i sjellë ato në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE,” deklaroi Desir në Tëitter. “Puna vijon për të reduktuar nivelin e gjobave dhe për miratimin e instrumenteve nënligjore në të ardhmen,” shtoi ai.
Desir nuk bëri të ditur se sa kishin qenë gjobat dhe se çfarë niveli ai i konsideron të pranueshme, por një raport i BIRN nga punimet e komisioneve parlamentare të martën vërejti se masat e gjobave në fakt janë rritur në krahasim me draftin e mëparshëm.
Qëndrimi i Desir, i cili gjeti raportim të gjerë në median pranë qeverisë, e cila në një masë jo të vogël, e humbi mundësinë për të raportuar mbi deklaratën e Komisionit Europian, ku qeveria e kryeministrit Edi Rama këshillohet në mënyrë eksplicite të kufizojë rregullimin vetëm te media audiovizive si dhe të punojë me zyrën e Komisioneres së Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, znj. Dunja Mijatoviç. Mijatoviç është një eksperte e medias dhe në deklaratën e parë të saj mbi këtë çështje, kërkoi që “interneti të mbetet i hapur dhe forum publik”, pra që të mos rregullohet nga qeveria.
Një grup organizatash shqiptare bënë një deklaratë tjetër në orët e mbrëmjes, ku falënderuan Komisionin Europian, Delegacionin Europian në Tiranë dhe znj. Mijatoviç.
Ne i kërkojmë qeverisë të pranojë vërejtjet e Komisionit Europian si dhe kërkesën e Komisioneres Mijatovic që specifikisht thotë: “interneti të mbetet i hapur dhe forum publik dhe që të mbizotërojë vetërregullimi në media, përfshirë median online,” shkruhet në deklaratë.
Gazetarët pritet të protestojnë të Mërkurën në orën 9.30 para Kuvendit të Shqipërisë, kohë kur socialistët kanë në plan të miratojnë projektligjet kontroverse. BIRN