Detaje nga aksidenti tragjik në Bullgari. Pasagjerët u hodhën nga dritaret për t’u shpëtuar flakëve (FOTO)

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik në Bullgari, ku humbën jetën 45 pasagjerë të një autobusi nga Maqedonia. Ministri i Brendshëm bullgar, Bojko Rashkov tha se flakët mund të jenë shkaktuar nga shkëndijat, por ende mbetet mister si u përfshi nga zjarri autobusi.

Mes viktimave janë edhe 12 të mitur, dy binjakë. Në aksident ka humbur jetën edhe shoferi. 7 persona, 2 gra dhe 5 burra kanë shpëtuar dhe ndodhen në spital. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se autobusi po kthehej për në Shkup pas një udhëtimi nga Stambolli.

Maya Argirova, shefe e klinikës së djegieve në Pirogov shprehet se njerëzit janë me trauma të rënda, kanë humbur të afërmit, fëmijët. “Ata u hodhën nga xhamat e autobusit, prej nga kanë marrë lëndimet”, tha Argirova. Autobusi ka hyrë përmes pikës kufitare Kapitan Andreevo mbrëmë pak pas orës 21:00. Rreth orës 3.00 ka ndodhur aksidenti në autostradën në drejtim të Sofjes – Bllagoevgrad.

Pas aksidentit, autostrada e Strumës do të qëndrojë e mbyllur gjatë gjithë ditës, të paktën në drejtimin Sofje-Balgoevgrad, në të cilin udhëtonte autobusi. Aktualisht vazhdojnë hetimet për zbulimin e shkaqeve të aksidentit dhe shpërthimit në flakë të autobusit. Mësohet se 7 persona janë dërguar në spital.

SHKARKO APP