Detaje nga mbledhja e grupit të PS-së/ Rama vlerëson Ballën dhe Peleshin, mblidhen firmat për Spiropalin
Një ditë pas ndryshimeve në qeveri, kryeministri Edi Rama mblodhi paraditen e kësaj të hëne grupin parlamentar socialist. Rama e vuri theksin pikërisht tek punimet e Kongresit dhe ka prezantuar tre ministrat e rinj Pirro Vengu, Petrit Malaj dhe Ervin Hoxha.
Kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij para deputetëve ka shprehur vlerësime për punën e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla dhe atij të Mbrojtjes, Niko Peleshi. Balla u largua nga Ministria e Brendshme 1 vit pas emërimit në këtë detyrë. Në analizën vjetore të dikasterit që ai drejton, Balla u shpreh se viti 2024 është vit historik sa i takon rendit dhe sigurisë, pasi numri i vrasjeve në vend është tre herë më pak se vitet e kaluara.
Socialistët kanë nisur mbledhjen e firmave për propozimin e Elisa Spiropalit për kryetare të Kuvendit. Mësohet se 30 deputetë kanë dhënë firmat për Spiropalin. Elisa Spiropali ka pasur një karrierë politike në ngritje në këto 12 vitet e fundit që kur nisi angazhimin e saj me organizatën “Mjaft”, më pas Drejtore Doganash në qeverinë ”Rama 1”, drejtuese e qarkut të Shkodrës dhe ministre e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin. Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për votimin e ministrave të rinj dhe zgjedhjen e drejtueses së re të Parlamentit, do të zhvillohet ditën e martë.