Detaje nga plani për të grabitur bankën në Tiranë. Autorët punuan për një muaj, ja kush ua prishi planin

Me kazma, lopata, kova, matrapikë e vegla të tjera të nevojshme për hapje tuneli, disa persona, të kamufluar si “punonjës pusetash”, kanë punuar përreth një muaj poshtë bulevardit “Zogu I”.

Të qetë se askush nuk mund t’i kundërshtonte në sipërmarrjen e tyre prej punonjësish të “autorizuar”, ata kanë vijuar të qetë në drejtim të objektit të përcaktuar si shënjestra e grabitjes. Bëhej fjalë për një bankë të nivelit të dytë, ku njëra faqe muri ishte thuajse e zbuluar para gërmimit të tyre.

“Punëtorëve” iu duheshin punë orësh gërmime të mbërrinin në destinacionin final.

Punimet e ditëve të fundit, me sa duket, kanë kërkuar përdorim të mjeteve më të fuqishme, për të siguruar çarjen e murit, çka iu ka prishur edhe planin e madh që kishin hartuar dhe për të cilin kishin investuar për ditë me radhë.

Policia ka marrë një informacion konfidencial, nga ku është kërkuar të verifikohet territori për rreth bankës ditën e hënë.

Policia nuk ka mundur të shquajë asnjë fakt dyshues, pasi objekti nga jashtë, përveç kamerave të shumta, ka edhe roje private përgjatë gjithë kohës.

Mirëpo, dyshimet kanë qenë aq të forta sa është këmbëngulur të vijohen kontrollet në të gjithë zonën. Atëherë Policia është kujtuar për tunelin e nëndheshëm që gjendej poshtë këmbëve të tyre, tunel që sipas të dhënave ka 6 dalje në kahe të ndryshme.

Por jo për te banka që kishin fiksuar punëtorët e gërmimit. Policia ka shkuar te puseta e ngritur që gjendet mu në kryqëzimin që lidh rrugën “Fortuzi” me bulevardin, si e vetmja hyrje në atë tunel ekzistues prej shumë e shumë dekadash.

Në momentin kur kanë ngritur rrjetën metalike që mban të mbyllur pusetën janë përballur me një palë shkallë të prera, që vinin vetëm deri në lartësinë e murit mbrojtës të portës hyrëse të tunelit.

Policia ka zbritur nëpër shkallët që kishin lënë ata, ka vijuar për më shumë se 700 metra dhe më pas është përballur me volumin e dheut dhe të betonit që gërmuesit kishin hedh anëve të tunelit.

SHKARKO APP