Detaje të reja nga sulmi i rëndë drejt zyrave të TCH
Policia dhe prokuroria e Tiranës po hetojnë intensivisht për të gjetur autorët e ngjarjes në TCH.
Detaje të reja për ngjarjen e ndodhur pas mesnate në periferi të kryeqytetit, ku u sulmuan me armë zjarri zyrat e Top Channel dhe mbeti i vrarë një roje sigurie.
Dyshohet se kanë qenë mbi tre persona, kanë qëlluar me breshëri mbi zyrat e Top Channel dhe një nga plumbat ka kapur rojën e sigurisë P. Kola, i cili ndodhej në kabinën e tij.
Plaga e shkaktuar nga plumbi ka qenë fatale për 60-vjeçarin, i cili ka ndërruar jetë disa minuta më pas.
Autorët janë larguar më pas drejt Durrësit dhe dyshohet se kanë djegur automjetin tip “Range Rover” në Golem, Kavajë. Brenda mjetit policia ka gjetur dy armë zjarri.
Sipas hetimeve, në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 25 gëzhoja. Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së objektit, por edhe të bizneseve në autostradë, për të zbuluar lëvizjet e autorëve.