Dezinformimi, Braçe: Baza ligjore është e mangët
Kryetari i komisionit kundër dezinformimit, deputeti i PS-së, Erion Braçe evidentoi disa mangësi që ka në bazën ligjore kundër këtij fenomeni, ndërsa u shpreh se është e nevojshme që të adoptohen instrumentet dhe standardet më të mira europiane.
Gjatë një prononcimi për mediat, Braçe u ndal te përballja institucionale me dezinformimin, ndërsa u shpreh se institucionet nuk duhet t’i kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës. ”Baza ligjore është realisht e mangët dhe duhet rregulluar me standardet më të mira europiane. Ka instrumente shumë të vlefshme europiane që mund të adoptohen”, tha Braçe.
Nga ana tjetër, Braçe kërkoi që institucionet duhet të fillojnë të rregullojnë bazën e tyre rregullative për të mos lejuar ndërhyrje të drejtpërdrejta apo nënkontraktime tek operatorë që origjinën e tyre e kanë në vende jomiqësore. Braçe i bëri po ashtu apel edhe medieve që të tregohen të kujdesshëm në verifikimin e burimit të lajmit.
”Është krijuar një klimë, që për fat të keq po ngrite një shqetësim, një kritikë për cilindo institucion, shkel në një terren acid, ku digjesh menjëherë se turren të gjithë. Ne duam të bëjmë një ambient ekonomik të mbrojtur, një ambient informimi ku të mbizotërojë liria e informimit, por nuk duhet të depërtojë dezinformimi. Një ambient ku ka verifikim të fakteve”, tha Braçe, ndërsa kërkoi bashkëpunimin e institucioneve në këtë drejtim.