Dhimitri-Ballukut: ”Traktoristja” foli mbi borëpastruese me varëse mijëra euro. Hysi i mbyll mikrofonin deputetes

Situata në të cilën po kalon vendi me ngrica dhe akse të bllokuara nga bora, janë bërë temë e debatit në seancën e kësaj të hëne në Kuvend. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga foltorja e Kuvendit i është përgjigjur deputetes Fatjona Dhimitri, në lidhje me menaxhimin e situatës.

”37 kontratat rajonale të mirëmbajtjes kanë qenë aktive. Juve që ju ngeli mendja të borëpastruesja ku hipa unë mund t’iu bëj një xhiro me borëpastruese. E di çfarë është kjo dhe ku doni të dilni. Ju thoni që nuk ka polici në terren. Por si u hapën këto rrugë. I hapët ju me imagjinatën tuaj duke parë televizor. Cili shqiptar ka ndonjë dyshim se si e kemi përballuar ne tërmetin. Ne po mbarojmë shtëpitë pa i kërkuar asnjë ndihmë qytetarit. Në Shqipëri po kompensohen të gjithë për dëmet. Unë e kuptoj që ti nuk ke shumë punë për të bërë dhe mundësia jote është të dalësh njëherë në javë”, tha Balluku.

Kurse Dhimitri e cilësoi ”traktoriste” Ballukun, pasi foli nga borëpastruesja në lidhje me masat që ishin marrë për pastrimin e rrugëve. ”Është e turpshme të bëjmë fushata luksi kur në këto netë të acarta, ku janë bllokuar automjete e pushtetarët e Rilindjes nuk paskan kripë të zezë për rrugët. Kur edhe ajo kripë bëhet me duart e punëtorëve që kërcënohen me bukën e gojës që të votojnë për partinë në pushtet. Ju vidhni pa ju brejtur ndërgjegjia sepse nuk keni një të tillë. Traktoristja e transportit doli si heroinë, këtë herë nuk e zuri halli tek Nusreti, por tek një borëpastruese për të xhiruar serinë e radhës të serialit të mashtrimit”.

Nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi i ka ndërprerë fjalën, për shkak se kjo e fundit nuk po respektonte procedurën.

Dhimitri: Ju hipni mbi borëpastruese me varëse mijëra euro dhe më rroba luksoze, unë flas për njerëzit e thjeshtë.

Hysi-Dhimitrit: Ju abuzuat me të drejtën e fjalës që parashikon rregullorja për procedurë. (I fik mikrofonin).

SHKARKO APP