Dhoma Zgjedhore: 21 qershori, fushatë e qetë dhe me pak incidente

Dhoma Zgjedhore prezantoi sot raportin përfundimtar të monitorimit të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, ku përfshihen dhe rekomandimet e shoqërisë civile, për përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe administrimin e tij.

Në prezantimin e raportit, përfaqësuesi i Dhomës, Lutfi Dervishi vlerësoi pozitivisht faktin që në këto zgjedhje qytetarët me votën e tyre ia besuan kryetareve gra drejtimin e 9 bashkive të vendit.

Raporti vlerëson ecurinë e procesit të numërimit të votave, i cili ishte me ritme më të shpejta krahasuar me vitet e kaluara, dhe po ashtu faqja zyrtare e KQZ-së me publikimin e të dhënave shënoi një hap pozitiv në drejtim të informimit dhe transparencës me publikun.

Raporti monitorues i Dhomës Zgjedhore konstaton se zgjedhjet e fundit u zhvilluan në kontekstin e mosdakortësive të forta që solli reforma e re territoriale, ku shumë kandidatë u ankuan se u ndjenë të disavantazhuar në rezultat.

Po ashtu, për kandidatët e pavarur sistemi zgjedhor ishte i pafavorshëm, ndërsa ndarja e re administrative, që shoqërohet me zmadhimin e njësive vendore, krijon pabarazi të votës.

Duke u ndalur tek roli i policisë gjatë zgjedhjeve, raporti i Dhomës thekson se ajo garantoi sigurimin e rendit publik, ndërsa vë në dukje dhe përqëndrimin policor gjatë ditës së zgjedhjeve, e cila mund të përkthehet dhe si një lloj presioni ndaj votuesve.

Gjithashtu, raporti vëren se KQZ u mjaftua me afishimin online të listave të votuesve, ndërsa KZAZ-të nuk bënë shpalljen e tyre pranë qendrave të votimit.

Sa i takon partive politike ato nuk u treguan transparente në publikimin e profileve të kandidatëve, gjë që shkaktoi dhe përfolje të këtyre të fundit në media, lidhur me të kaluarën e tyre, konstaton raporti.

Monitorimi i zgjedhjeve nga Dhoma Zgjedhore vë në dukje fushatën e qetë dhe me pak incidente, ndersa sërish shprehet shqetësim për transparencën e fondeve te financimit të saj. Sipas raportit është i pamjaftueshëm detyrimi ligjor qe subjektet zgjedhore të bëjnë transparente prane KQZ-se financimet në zgjedhje, se sërish konstatohen financime të paligjshme.

Raporti përcjell një sërë rekomandimesh që kanë në thelb amendimin e kodit zgjedhor, për çështje që lidhen me krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë subjektet zgjedhore dhe kandidatët; mundësinë e votimit të emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare; kufizimin e mandatit për kryetarët e bashkive; marrjen e masave nga prokuroria për një hetim më aktiv penal ndaj rasteve që lidhen me shitblerjen e votës; detyrimin e kandidatëve garues qe të deklarojnë pasurinë e tyre, etj. 

SHKARKO APP