Dhuna dhe ngacmimet në vendin e punës, Meta dekreton ligjin: E vlerësoj

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar sot me shpallje ligjin, i cili ndalon dhunën apo ngacmimet seksuale në punë. Në njoftimin e Presidencës thuhet se bëhet fjalë për “ Ligjin nr. 13/2022 “Për ratifikimin e konventës 190 “Konventa për Dhunën dhe Ngacmimin” të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, 1986”.

Sipas Kreut të Shtetit, bërja pjesë e legjislacionit të brendshëm, të standardeve që vendos kjo konventë në drejtim të eliminimit të dhunës dhe ngacmimeve që ndodhin gjatë, në lidhje, me ose lindin nga puna, është për t’u vlerësuar.

Shqipëria duhet të bëjë përpjekje serioze për të respektuar dhe realizuar në praktikë të drejtën e gjithsecilit për një botë pune pa dhunë dhe ngacmim.

Ratifikimi i kësaj konvente duhet të shoqërohet me plan konkret për përmirësimin e legjislacionit tonë kombëtar për përafrimin me standardet ndërkombëtare të punës së ILO-s, dhe atë të Bashkimit Europian në këtë fushë, e që garantojnë të drejtën për barazi dhe mosdiskriminim në punësim dhe profesion”, thuhet në argumentet e Kreut të Shtetit.

Gjithashtu, në përputhje me detyrimet e marra përsipër sipas konventës, nevojitet përmirësimi i vazhdueshëm i legjislacionit të brendshëm për të siguruar autorizimin e inspektorateve të punës dhe autoriteteve të tjera përkatëse, për të trajtuar dhunën dhe ngacmimin në botën e punës, duke përfshirë edhe lëshimin e urdhrave që kërkojnë marrjen e masave me fuqi ekzekutimi të menjëhershme, dhe urdhra për të ndaluar punën në rastet e një rreziku të afërt për jetën, shëndetin ose sigurinë, duke iu nënshtruar çdo të drejte për ankesë pranë një autoriteti gjyqësor ose administrativ, i cili mund të parashikohet me ligj.

SHKARKO APP