Dhuna ndaj grave dhe vajzave, Balla: Ato që e denoncojnë janë heroina
Ministri i Brendshëm Taulant Balla theksoi nevojën për një ligj të posaçëm që të mbulojë aspektet e dhunës online, sidomos ndaj vajzave dhe grave, të cilat rezultojnë thellësisht të prekura nga ky fenomen.
Balla tha se për këtë çështje duhet të kemi një qasje gjithëpërfshirëse, të të gjitha krahëve politikë, pasi kjo është një çështje tejet sensitive për opinionin shoqërinë tonë.
Duke nënvizuar rëndësinë e miratimit të akteve ligjore, Balla u shpreh se “të gjithë kemi draftet tona, Ministria e Brendshme ka draftin e vet, edhe Avokati i Popullit dhe Prokuroria, e sidomos OJF. Ajo që na duhet është që ta kristalizojmë këtë gjë, dhe ky takim i sotëm në Kuvendin e Shqipërisë duhet të jetë si një gur themeli përfundimtar për të shkuar atje ku duam. Është menduar që me një iniciativë deputetësh ku dhe unë si ministër i Brendshëm jam i gatshëm ta bashkë-firmos, e rëndësishme është të jetë bi-partizane, dhe për këtë gjë nuk kemi dallime mazhorancë-opozitë.”
Duke folur rreth aspekteve të ndryshme që kanë të bëjnë me propozimet ligjore, ministri vuri në dukje se gjëja e parë që duhet është ta definohet çfarë është.
“Kur bie fjala për përkthimin në shqip cyberbulling, ngacmimi kibernetik, çfarë është? Dhe unë kam hulumtuar prej kohësh sapo më është dashur të merrem me këtë çështje. Cyberbullying (ngacmimi kibernetik) është termi i përdorur për përkufizimin e formave të ndryshme të abuzimit psikologjik në internet, (ngacmim, kërcënim, frikësim, fyerje, sharje, dërgimi i mesazheve të turpshme, të cilat në disa raste arrijnë deri ne shantazhim) me qëllimin për të sulmuar në një formë të hapur, të përsëritur, një person ose një grup personash.
Kemi pasur një rast tragjik para disa muajsh në Durrës, ai është rasti tipik. Përkufizimi i dhunës kibernetike si një ngacmim online, mesazhe online nxitëse të urrejtjes me bazë gjinore, publikimi jo-konsensual i informacioneve dhe përmbajtjeve fotografike intime, interceptimi i paligjshëm në komunikimet dhe të dhënat personale, që është një formë që ndodh shpesh”, theksoi Balla.
Në lidhje me përvojën e vendeve të tjera dhe mekanizmave që mund të aplikohen ndaj dhunës online, Balla u shpreh se “sapo të rregullojmë aspektin ligjor, ne i kemi të gjithë mekanizmat për të ndërhyrë që të pengojmë e të bëjmë të pamundur për gjithkënd që lidhet në internet që të mos transmetojë e përdorë platformat sociale ose e-mail, me qëllimin për të turpëruar, frikësuar, kërcënuar një viktimën.
Ky duhet të jetë thelbi i një ligji sa i përket parandalimit të dhunës kibernetike. Përvoja e vendeve të tjera është e pasur dhe sidomos me acquis communautaire”.
Shifrat e dhunës me bazë gjinore përkatësisht denoncimet, janë trishtuese, tha Ministri Balla, duke apeluar për reagim të menjëhershëm.
“Por sa u përket shifrave, po marr vetëm shifrat e dy muajve të parë të vitit 2024. Këto të dhënat tregojnë se janë 890 persona, të dëmtuar nga dhuna dhe krimet e tjera në familje. Ndër to, 629 janë gra/vajza. Pra, numri i grave viktima është mbi 3-fish më i lartë se i meshkujve. Një e dhënë tjetër, për vitin 2024, është ajo për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes nga sistemi gjyqësor.
Edhe këtu kemi të njëjtën panoramë trishtuese, pasi nga 465 të dëmtuar që kanë marrë urdhër mbrojtjeje, 350 kanë qenë gra/vajza. Të dhënat statistikore për sulmet seksuale gjithashtu konfirmojnë se më të prekura janë përsëri gratë dhe vajzat. Gjatë vitit 2023 janë regjistruar 125 viktima të krimeve seksuale dhe nga këto 103 kanë qenë gra/vajza”, bëri me dije Ministri i Brendshëm.
Në lidhje me masat e marra nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, Balla theksoi se
“për këtë qëllim që në ditët e para të detyrës sime si Ministër i Brendshëm i kam kërkuar Policisë së Shtetit të hartojë një protokoll të detajuar për trajtimin duke nisur nga kontakti i parë i shtetit me viktimën e dhunës psikologjike apo fizike. Ai është momenti kyç që bën diferencën”.
Balla nënvizoi gjithashtu se “trendi i kriminalitetit në fushën e krimeve kibernetike, vitet e fundit ka pësuar një rritje jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë botën. Kështu, me riorganizimin e strukturave të Policisë së Shtetit në nivel qendror dhe vendor, në muajin qershor të vitit 2023 është krijuar Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetike e cila është e organizuar në 3 sektorë që zhvillon hetime të krimeve kibernetike të ndara sipas veprave penale.”
Në fund të fjalës së mbajtur, ministri kishte një apel për bashkëpunimin e të gjithë shoqërisë për t’i dalë para dhunës me bazë gjinore.
“Dhuna ndaj grave mbetet një çështje komplekse dhe e rrënjosur thellë që kërkon përpjekje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë sektorët e shoqërisë dhe mekanizmat ekzistues,” theksoi Balla.