Dhuna ndaj jetimëve, Ministri Klosi shkarkon drejtoreshën

 

Pas dhunës ndaj jetimëve nga kujdestarja e Shtëpisë së Fëmijës, ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi ka zhvilluar një takim me stafin e institucionit.

Në përfundimin e analizës, ministri Klosi ka vendosur shkarkimin nga detyra edhe të drejtoreshës Anjeza Gjeluci dhe emërimin në këtë pozicion të Valbona Tulaj.

“Çdo drejtues duhet të marrë përgjegjësi për ngjarje të tilla, dhuna ndaj fëmijëve jetim është e papranueshme dhe ne do e luftojmë me çdo mjet”, tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Ministri njoftoi nga Shkodra se tashmë edukatorët që do punojnë në jetimore do t’i nënshtrohen testeve kryesisht psikologjike përgjatë një viti përpara se të fitojnë vendin e punës.

Ky vendim vjen dy ditë pas publikimit të videos amatore që shfaq dhunën e kujdestares 40-vjeçare Edvana Sulaj teksa i ulur me të gjithë peshën e trupit në këmbë një jetimi të vogël i cili qëndronte i ulët në shkallët e jashtë të Shtëpisë së Fëmijës në këtë qytet.

Kujdestarja dhe dy kolegët e tjerë që ndodheshin me fëmijët u shkarkuan menjëherë nga Shërbimi Social Shtetëror.

Policia arrestoi kujdestaren që është protagoniste kryesore e dhunës ndaj jetimit, ndërsa procedon në gjendje të lirë dy ish-punonjësit e tjerë Manjola Banisha dhe Albert Reka të vënë nën akuzë për keqtrajtimit të të miturve dhe shpërdorim detyre.

SHKARKO APP