Dhuna në Velipojë, reagon Basha: Rama përdor dhunën dhe gazin lotsjellës për të grabitur tokat

Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit kishte lajmëruar më herët se do të nisë prishjen e ndërtesave në Velipojë.

Por banorët vendas janë shprehur kundër shkatërrimit të objekteve në pronësi të tyre. Pas rezistencës së banorëve për të mos lejuar shembjen e subjektit, IKMT me ndihmën e policisë dhe FNSH-së ka mundur të ndërhyjë dhe të rrëzojë në tokë bizneset.

Siç shihej në pamjet që vinin përmes medieve gjatë pasdites, qytetarët janë shpërndarë me gaz lotsjellës nga ana e policisë.

Një vajzë e re ka humbur ndjenjat pas përdorimit të gazit lotsjellës, ndërkohë që vetë efektivët e kanë mbajtur në krahë për t’i dhënë ndihmën e parë.

Por pavarësisht kësaj, dëgjoheshin edhe ulërimat e banorëve, të cilët shprehin mllefin e tyre kundrejt efektivëve. “O të q*fsha robt! O kriminela.”- dëgjoheshin banorët duke thërritur.

Lidhur me këto zhvillime ka reaguar edhe krydemokrati Lulzim Basha.

“Në ditët më të vështira për shqiptarët, kur xhepat janë të zbrazur dhe varfëria po rritet çdo ditë, Edi Rama përdor dhunën dhe gazin lotsjellës për të grabitur tokat në Velipojë. Në orën që kërcënon qytetarët se do t’i rimbyllë në karantinë, RAMAVIRUSI dhe banditët e tij prishin pa ligj vetëm për të grabitur pronat në bregdet për oligarkët dhe krimin. Me RAMAVIRUSIN shqiptarët varfërohen e oligarkët pasurohen. I rrënuar dhe i tmerruar nga revolta e qytetarëve, këto akte barbare janë grahmat e fundit të një kufome politike që po qelb Shqipërinë”, tha Basha.

SHKARKO APP