Dibra e Madhe i bashkohet Tiranës për Paradën e 28 Nëntorit, Veliaj publikon videomesazhin e homologut Hekuran Duka
Paradës së shqiptarëve më 28 nëntor në Tiranë do t’i bashkohen në një numër të madh edhe qytetarët nga Dibra në Maqedoninë e Veriut.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka publikuar videon e kryetarit të Komunës së Dibrës, Hekuran Duka i cili bën thirrje për pjesëmarrje masive në këtë manifestim kombëtar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku do të prezantohen vlerat kulturore të gjithë trevave shqiptare.
“Të nderuar bashkëqytetarë, të nderuar dibranë kudo që jeni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtetet e Europës. Unioni i Bashkive Shqiptare në rajon këtë vit ka vendosur që të festojë 28 nëntorin, këtë festë kombëtare, ditë e flamurit në një mënyrë ndryshe. Grupet e ndryshme artistike nga të gjithë qytetet shqipfolëse shkojnë të festojnë si asnjëherë më parë në paradën dedikuar historisë dhe kulturës tonë të përbashkët. Thirrja është për të gjithë qytetarët e komunës së Dibrës, kudo që jetojnë t’i bashkohemi këtij manifestimi kombëtar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku do të prezantohen vlerat kulturore edhe të qytetit tonë. Shihemi pra në Tiranë, më 28 nëntor. Mos mungoni”, thekson kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka.