Diell Çela: Deputeti i PDIU me rrahu, por nuk bëj denoncim !
Kreu i PD-së në Peqin, Diell Çela ka sqaruar sot se si ka ndodhur ngjarja për të cilën deputeti Arben Ristani akuzoi deputetin e mazhorancës Aqif Rakipi.
Në një komunikim telefonik, Çela ka pranuar për “Panorama” se akuzat e hedhura dje nga selia e PD-së për zotin Rakipi janë të vërteta, duke nënvizuar se i qëndron deklaratës që ka bërë Ristani një ditë më parë.
Partia Demokratike ka denoncuar deputetin Aqif Rakipi dhe vëllanë e tij sepse sipas saj, kanë rrahur barbarisht kryetarin e PD-së së Peqinit për motive të pastra politike.
Sipas deputetit Arben Ristani, ngjarja ka ndodhur pasditen e të dielës në një lokal Pajovë të Peqinit, ku kryetari i degës së PD në këtë qytet, Diell Çela, “është rrahur barbarisht nga deputeti i PDIU Aqif Rakipi dhe vëllai i tij”.
Arsyeja për këtë ngjarje sipas PD është: “Ngjarja vjen në kuadrin e një kriminaliteti në rritje brenda mazhorancës qeverisëse, dhe pason goditjen me armë dy ditë më parë në Ersekë të anëtarit të PD nga kryetari i PS atje’.
Zoti Dielli Çela, Arben Risani ka bërë një deklaratë dje në lidhje me deputetin Aqif Rakipi për një ngjarje që ka ndodhur në Pajovë. A është e vërtetë?
Po është e vërtetë, i qëndroj cdo thënie të tij, por s’kam bërë as kallëzim asgjë.
A mund të na tregoni ndonjë detaj se si ka ndodhur ngjarja kur dhe ku?
Siç ka thënë Ristani, në Pajovë në 6 të darkës, në lidhje me një protestë që PD do zhvillojë të enjten para bashkisë. Meqënëse Bashkinë e ka PDIU-ja këta u acaruan, ‘nuk ju lejojmë do ju vrasim do ju bëjmë’
Ju ka kërcënuar?
Po nuk hyn tek kërcënimet por atë që ka thënë Arben Ristani është e vërtetë në cdo detaj.
Po cfarë i thoni ju zotit Aqif pasi ai dje në një komunikim telefonik me Panorama tha se ka qenë në Tiranë në momentin kur akuzohet për ngjarjen?
Po ca i them, vetëm burrë nuk është, kaq.
Reagimi i deputetit Aqif Rakipi:

Deputeti i PDIU, Aqif Rakipi, i njohur në rrethet shoqërore si “Qifja”, (në foton sipër në mes) ka hedhur poshtë akuzat e PD se ai ka rrahur kreun e degës së kësaj partie në Peqin, Diell Çela. Rakipi mohon të ketë goditur drejtuesin e PD, madje thotë se nuk ka dijeni për një ngjarje të tillë. “Nuk e di fare çfarë deklarate ka bërë PD. Unë personalisht jam në Tiranë dhe nuk jam në dijeni të ngjarjes që ka ndodhur në Peqin”, u shpreh ai për gazetën Panorama. Deputeti i PDIU -së i sfidoi personat që kanë bërë denoncimin që ta paraqesin me pamje filmike dhunën e pretenduar. “Janë akuza të pabaza. Ai personi që e ka dhënë këtë informacion të paraqesë fotografi apo pamje filmike në lidhje me këto pretendime”, thotë ai. Partia Demokratike e denoncoi mbrëmë deputetin e PDIU se e ka dhunuar drejtuesin e degës së saj në Peqin, në një lokal rreth orës. 18.00.
KOHA JONË SONDAZH

