Digjen disa banesa nga zjarret, Peleshi thirrje policisë: Banorët të largohen edhe me forcë

Edhe pse flakët e kanë ulur pak intensitetin, situata në fshatrat Gjormë dhe Gumenicë mbetet mjaft kritike. Në të dy fshatrat janë djegur disa banesa, ndërsa në rrezik janë edhe të tjera shtëpi. Fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar. Mbi këtë situatë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit që t’i largojë edhe me forcë banorët nëse është e nevojshme. Po ashtu Peleshi përmes një postimi në facebook, ka informuar se janë edhe 40 trupa të Forcave të Armatosura, edhe nga Bashkia e Vlorës dhe Selenicës që u janë bashkuar ekipit.

“Tani situata është disi më ndryshe, nuk mund të flasim për vendosje totalisht në kontroll, por vatrat janë më pak agresive. Është punuar ,me intensitet me dy helikopterë, tani po punohet me një. Kemi patur prekje banesash, por deri tani sipas informacioneve që kemi kanë qenë fshatin Gjormë ku nuk raportohet të ketë patur banorë dhe në fshatin Gumenicë janë shtëpi të vjetra. Po përpiqemi të shmangim përfshirjen shtëpive në fshatin poshtë, po vijojmë edhe me evakuimin.

Bëj apel që ata që kanë mundësi të na ndihmojnë për të evakuuar njerëzit të japin ndihmën e tyre. Nuk kemi lëndime në njerëz dhe urojmë që dhe kjo vatër të mbyllet pa lëndime në njerëz. Kemi forca mjaftueshëm për ta mbajtur nën kontroll. Kemi 40 trupa të Forcave të Armatosura, edhe nga Bashkia e Vlorës dhe Selenicës ka ardhur ndihmë.

Sot nuk mund të flitet për vendosje totalisht në kontroll për shkak dhe të erës. Banorët nga fshati duhen larguar edhe me forcë. Duhet punuar deri në fund për të evakuuar banorin e fundit, Policia t’i evakuojë edhe me forcë. Do fillojmë ndërhyrjen me helikopterët holandezë. Na ka ofruar bashkëpunim edhe Zvicra”, tha Peleshi.

SHKARKO APP