”Dihet kush është kreu i grupit të PD”, Bardhi: Propozuam ekip të ri në komisionin e Reformës Zgjedhore

Gazment Bardhi ka folur për mediat lidhur me diskutimet në Konferencën e Kryetarëve, teksa u shpreh se nuk u morën parasysh propozimet e opozitës për Reformën Zgjedhore.

“Komisioni i Reformës Zgjedhore u diskutua sot gjatë mbledhjes. I jam drejtuar kryetares së Kuvendit për të nxjerrë përgjegjësitë për komisionin që është mbledhur 2 herë në 1 vit pa dhënë asnjë rezultat. Në zgjedhjet e 14 Majit duhet të shkonim me një kuadër të plotë ligjor që përmbushte rekomandimet e OSBE.

I kam kujtuar kolegëve të PS-së që kanë shpallur si prioritet reformën zgjedhore, për të cilën duhet të jesh serioz. Si opozitë kemi marrë përgjegjësitë tona për mosrealizimin e reformës zgjedhore. Nuk pranojmë dot që një çështje si zgjedhjet e lira të mos trajtohet. Këtë e kemi adresuar duke krijuar një ekip të ri përfaqësimi në komisionin e reformës zgjedhore”, u shpreh ai.

Bardhi foli edhe për Flutura Açkën. “I drejtoi një pyetje drejtueses se në çfarë cilësie ishte në mbledhje. Mori përgjigje se ishte në cilësinë e kryetares së Komisionit të Medias dhe iku”.

Po ashtu Bardhi ka paralajmëruar votën kundër draftit për rritjen e pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga 4 në 7 mln lekë të vjetëra. Ai tha se propozimi i Ramës vjen si pazar i qartë mes Gjykatës Kushtetuese dhe qeverisë dhe nuk ka lidhje me Reformën në Drejtësi.

SHKARKO APP