”Diktatorët nuk zgjasin përgjithmonë”, Bardhi i përgjigjet Ramës: Një qetësues për kryeministrin e bandave

Dënimi i Ervin Salianjit me 1 vit burg, ka vënë përballë me akuza Gazment Bardhin dhe Edi Ramën. Pas një postimi të gjatë nga kryeministri, Bardhi i është përgjigjur me një lum akuzash. ”E kuptoj pse nuk përmbahet edhe kur e ngjyen penën në llumin e tij personal dhe politik. Edi Ramën e shqetëson e vërteta! Ai s’mbulon dot diellin me shoshë me fjalorin e tij të pështirë”,-shkruan Bardhi.

Postimi i plotë

Një qetësues për Kryeministrin e bandave! E kuptoj që një nga pasionet e fundit të Ramës është burgosja e deputetëve të opozitës. Është tundimi i çdo politikani, pushteti i të cilit nuk vjen nga vota, por nga krimi dhe korrupsioni. E kuptoj pse nuk përmbahet edhe kur e ngjyen penën në llumin e tij personal dhe politik. Edi Ramën e shqetëson e vërteta! Ai s’mbulon dot diellin me shoshë me fjalorin e tij të pështirë.

Faktet janë se:

1. Edi Rama është Kryeministri i vetëm në botë që bëri Ministër të Brendshëm vëllanë e një trafikanti të dënuar droge nga një vend i BE!

2. Edi Rama është i vetmi Kryministër në botë që akuzohet nga zëvendësi i tij se ka një koordinator të posaçëm për marrëdhëniet me krimin e organizuar, i cili nesër pritet të emërojë Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të SHISH.

3. Edi Rama është i vetmi Kryeministër në botë që ka vëllanë të dyshuar si trafikant droge. (Kallëzimi im në SPAK, në çdo formë që ti e quan, nuk e ndryshon dot faktin se Olsi Rama përdori makinën e trafikantëve të drogës në të njëjtën kohë që ata ngritën laboratorin e drogës në vitin e parë të qeverisjes së vëllait kryeministër – Procedimi 84, viti 2024).

4. Edi Rama është i vetmi Kryeministër në Europë që trafikantët e drogës, vrasësit dhe përdhunuesit i bëre deputetë dhe kryebashkiakë.

Kurdo që ta ngjyejë bojën ose të fusë kokën në llumin e vet të pështirë Edi Rama nuk duhet të harrojë një mësim të vyer të historisë së njerëzimit: Diktatorët nuk zgjasin përgjithmonë!

P.s: Ka Geroni vëlla; por ka edhe Olsi! Madje ka një vëlla jo vetëm frikacak e të paftyrë, por edhe tërësisht vulgar e me nervat jashtë kontrollit! Fatmir Xhafaj e kreu detyrën me shumë “dinjitet”, aq sa për karrigen e pushtetit e dorëzoi në burg të vëllain me duart e tij, vetëm që të mos ballafaqohej me Ervin Salianjin në gjykatë! Taksirat e ke, si vëlla i mirë që je, dhe si zyrtar po me aq “dinjitet”, bëj edhe ti të njëjtën gjë! Por kujtohu, Fatmir Xhafajt nuk i mjaftoi për të qëndruar në pushtet dhe as ty nuk do të mjaftojë!

SHKARKO APP