Dilni veç për nevoja jetike/Lleshaj: Jemi në fillimin e masave të ashpra
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u bëri thirrje qytetarëve që të hënën dhe javën në vazhdim të dalin nga shtëpia vetëm për nevoja jetike, ndërsa paralajmëroi se nëse qytetarët shpërfillin rregullat për sigurinë policia do të ndërhyjë. Duke folur nga një inspektim i zbatimit të masave të karantinës, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ministri tha se masat po funksionojnë, megjithatë është herët për të dhënë sinjal optimizmi.
“Dua të them që masat e marra deri tani janë zbatuar mirë, por dua të theksoj me forcë faktin që prapa këtij aksioni të madh qëndrojnë me qindra e mijëra punonjës të Policisë, të Ushtrisë, të Agjencive të tjera, Policia Bashkiake, pa përmendur ata që janë në frontin e parë, punonjësit e shëndetësisë”.
Nga ana tjetër, Lleshaj paralajmëroi se masat e ashpra duhet të vazhdojnë. “Gjithë ky angazhim i madh ka mundësuar që masat të funksionojnë, megjithatë është shumë herët për të dhënë një sinjal optimizmi, ose një sinjal çlirimi nga masat, përkundrazi ne duhet të vazhdojmë më tej me një regjim të ashpër masash për arsye sepse edhe një person i vetëm mund të kontribuojë në frenimin apo në pengimin e përhapjes së virusit. Jemi ende në fillim dhe duke qenë se jemi ende në fillim, gjithkush mund të kontribuojë për të realizuar një impakt të madh në parandalim”.
Lleshaj u shpreh se nesër duhet që qytetarët do të vazhdojnë regjimin nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 13:00, por ta konsiderojnë këtë si orar daljesh të shpejtë për nevoja jetike, jo si kohë shëtitjeje.