Dimri “troket” në Shqipëri, kjo është gjendja në qytetet kryesore të vendit
Tashmë prej dy ditësh vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe dëbore. Bora ka mbuluar pjesën verilindore dhe juglindore të vendit duke krijuar probleme të vogla në tërësi.
Në qarkun e Korçës bora ka nisur prej disa ditësh e ndërkohë bëhet e ditur se trashësia në Dardhë ka arritur në 30 cm, prej km të 7 e në vazhdim. Kjo situatë ka paraqitur problematika në disa fshatra, si ndërprerje energjie, bllokim në afërsi të Voskopojës, etj. Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se në terren kanë zbritur mjetet borëpastruese dhe u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që kanë zgjedhur të vizitojnë juglindjen të kenë kujdes me lëvizjet dhe të pajisen me goma dimërore.
Në qytetin e Krujës, reshje dëbore janë regjistruar në kampin e Qafë-Shtamës, ku trashësia e saj është 5 cm. Fatmirësisht deri më tani nuk ka raportime për problematika serioze.
Në qarkun e Lezhës shirat e rënë një ditë më parë ku pati dhe rrebesh breshëri sollën shumë problematika. Ditën e sotme situata duket më e qetë ndonëse ujërat e lumit Drin janë në nivele më të larta por momentalisht nuk paraqitet rrezik. Në zonat malore, 500 m mbi nivelin e detit dhe në 13 fshatra të zonës janë që pasditen e djeshme pa energji elektrike. Deri tani raportohet se rruga e Kombit nuk paraqet ndonjë problem pasi janë dy borëpastruese që e monitorojnë, ndërsa në fshatrat Kurbnesh, Selit, Orosh dhe Kaqinar lëvizja e automjeteve bëhet me zingjirë.
Në qarkun e Dibrës situata duket disi problematike në disa fshatra ku trashësia e dëborës është 40 cm. Për shkak të reshjeve të dëborës janë krijuar ngrica dhe vështirësi në rrugë, ku si pasojë qarkullohet vetëm me zinxhirë në akset rrugore Peshkopi-Maqellarë-Bulqizë ; Bulqizë-Klos; Klos-Qafë Murrizë. Aksi rrugor Klos-Mat- është i hapur, aktualisht pa probleme. Sa i përket Rrugës së Arbrit, është e bllokuar për shkak të dëborës së dendur dhe ngricave në bypass-in e Qafës së Murrizës.
Moti i keq ka shkaktuar vonesa në nisjen e trageteve nga Durrësi drejt Barit. Trageti i parashikuar për të lundruar në orën 23:00 të mbrëmjes së kaluar, është nisur rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm. Ndërsa trageti i linjë së Ankonës, i parashikuar për t’u nisur në orën 19:00, është nisur rreth orës 23:30 të mbrëmjes së kaluar. Nuk paraqiten probleme në krahun tjetër të Adriatikut, ku tragetet janë nisur në oraret e parashikuara dhe kanë mbërritur po ashtu mëngjesin e sotëm në Durrës në orar.
Po ashtu për shkak të motit të keq, problematika me peshkimin ka patur edhe në Vlorë.
Reshje dëbore ka pasur edhe në Llogara, gjatë orëve të mbrëmjes dhe në orët e para të së martës. Temperaturat e ulëta kanë bërë që fshati turistik i Llogarasë të zgjohet në petkun e dëborës. Rrugët janë të kalueshme, pasi dy borëpastruese kanë punuar për hapjen e tyre. Ndërkohë prej dy ditësh, defektet e linjat e tensionit kanë bërë që fshati Llogara të jetë pa energji elektrike.
Dallgët e detit dhe erërat e forta kanë sjell probleme dhe në molin e peshkimit në Radhimë, ku varka, skafe dhe gomone rrezikohen të mbyten. Janë gjashtë varka te vogla qe janë mbushur me uje nga dallgët e larta, ndërkohë që skafet që shërbejnë gjatë sezonit veror për transport pushuesish janë mbushur me ujë dhe rrezikohen te përplasen me shkëmbinjtë.
KOHA JONË SONDAZH

