Diplomat false nga Universiteti “Wisdom”, ish-ministrja Kushi: S’kam shkëmbyer asnjëherë dhurata kortezie
Ish ministrja e Arsimit, deputetja e PS-së Evis Kushi ka reaguar për hetimet mbi dosjen italiane për mashtrimet me diploma në Univesitetin “Wisdom” në Tiranë. Në dosje shkruhej se edhe ish-ministrja ka marrë dhurata, por vetë Kushi sqaron sesi qëndron e vërteta.
“Dua të ndaj qëndrimin tim me opinionin publik se Ministria e Arsimit dhe Sportit, si institucion dhe në rastin tim si ish drejtuese e këtij institucioni. Si titullare e këtij institucioni për periudhën shtator 2020-shtator 2023, edhe pse ngrihen dyshime në media, nuk kam shkëmbyer asnjëherë dhurata kortezie për urime festimesh me simbolika të tilla”,-shkruan Kushi.
Postimi i plotë
Në lidhje me disa abuzime të bëra nga disa media gjatë ditës së sotme, mbi hetimet e dosjes italiane për mashtrimet me diploma të Universitetit Wisdom, dua t’ju sqaroj se: Në dosje ka një paragraf ku thuhet: “Ia vlen të përmendim që në vazhdim të dhuratave Catalano Lucia e Cianci Savino përpiqen të përgatisin dhe të dhurojnë dhurata simbolike në kuadër të festës së Krishtlindjes për amabasadorin, përfaqësues të ambasadës, ministre, zv. ministre, shefes së kabinetit, zyrës së matrikullimit dhe zyrës së akreditimit”.
Dua të ndaj qëndrimin tim me opinionin publik se Ministria e Arsimit dhe Sportit, si institucion dhe në rastin tim si ish drejtuese e këtij institucioni, MAS nuk është pjesë e procesit të akreditimit të universiteteve apo programeve të studimit në asnjë hap të procesit.
Akreditimi i institucioneve arsimore bëhet nga një bord i pavarur ekspertësh, vendas dhe të huaj, të zgjedhur me një konkurs të hapur. Si titullare e këtij institucioni për periudhën shtator 2020-shtator 2023, edhe pse ngrihen dyshime në media, nuk kam shkëmbyer asnjëherë dhurata kortezie për urime festimesh me simbolika të tilla.