Diplomatët perëndimorë vizitojnë Kosovën dhe Serbinë
Pesë diplomatë të Perëndimit nisin më 21 tetor vizitat në Kosovë dhe Serbi, me një qëllim kryesor – ringjalljen e dialogut mes dy vendeve.
Kështu i ka arsyetuar Bashkimi Evropian vizitat e të dërguarit të tij për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo, në Prishtinë e Beograd.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, shefi i Qeverisë në Kosovë, Albin Kurti, do t’i presë diplomatët në orën 10:00.
Autoritetet në Beograd kanë thënë se takimet në kryeqytetin serb do të nisin në orën 14:00.
Burimet diplomatike në Bruksel, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel.
Kërkesën e Kosovës për vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë e ka bërë edhe Parlamenti Evropian, i cili përmes një rezolute të miratuar më 19 tetor, ka kërkuar që Beogradi të përballet me pasoja nëse vërtetohet një lidhje e drejtpërdrejtë e Serbisë me sulmin në Banjskë.
Çfarë kërkohet nga dy vendet?
Burimet në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se pritjet e diplomatëve janë që Kosovës t’i kërkohet që ta gjejë një rrugë për “organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri” dhe zotimin për nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund ta rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Nga Serbia besohet se do të kërkohet që të distancohet nga secili veprim që mund ta destabilizojë veriun e Kosovës dhe që po ashtu t’i zbatojë marrëveshjet të cilat janë arritur më herët në dialog.
Diplomatët perëndimorë e kanë përmendur disa herë se zbatimi i Marrëveshjes së arritur më 27 shkurt në Bruksel është hap kyç për rrugën përpara drejt integrimeve evropiane.
Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
KOHA JONË SONDAZH

