Dita Botërore e Paqes, Papa Françesku mesazh Presidentit Nishani
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot Nuncin Apostolik në Shqipëri, Imzot Ramiro Moliner Inglés, i cili i dorëzoi Kreut të Shtetit shqiptar, mesazhin e Papa Françeskut me rastin e Ditës Botërore të Paqes (1 janar 2015), që ka për temë: “Jo më skllevër, por vëllezër”.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Papa Françesku në fillim të Vitit të Ri 2015 dëshiron t’i drejtojë “çdo burri dhe gruaje, ashtu si dhe çdo populli e kombi të botës, krerëve të shteteve dhe qeverive dhe përgjegjësve të besimeve të ndryshme”, urime të përzemërta për paqe, që i shoqëron në lutjen e tij. Pasi ka identifikuar dhe denoncuar mënyrat e shumta të skllavërisë së djeshme dhe të shumë formave të tjera të skllavërisë që mjerisht vazhdojnë akoma edhe sot, të gjitha fryt i ndërprerjes së vëllazërimit, në të cilin njerëzimi është thirrur – dhe analizuar disa nga shkaqet e saj të thella, Ati i Shenjtë bën thirrje për një angazhim të përbashkët për ta liruar njerëzimin nga këto plagë”.
Papa Françesku e mbyll mesazhin e tij me këto fjalë: “Globalizimi i indiferencës, që sot rëndon mbi jetët e shumë motrave e vëllezërve, na kërkon të gjithëve ne që të bëhemi nismëtarë të një globalizmi të solidaritetit dhe vëllazërisë, që mund t’u rijapë atyre shpresë”.
Presidenti i Republikës i shprehu dhe njëherë Nuncit Apostolik Inglés mirënjohjen për vizitën në Shqipëri të Papa Françeskut si një ngjarje shumë e madhe dhe e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, pavarësisht besimit apo përkatësisë së tyre fetare.
“Mesazhi i Papa Françeskut dhënë nga Tirana për mbarë njerëzimin, na bëri të ndihemi krenarë dhe na inkurajoi e na frymëzoi më shumë ne, shqiptarët, për më shumë dashuri e solidaritet, më shumë përkushtim e mirënjohje” u shpreh Kreu i Shtetit.
Ai i përcolli edhe njëherë urimet më të mira e të ngrohta Papa Françeskut dhe Nuncit Apostolik, për një Vit të Ri në paqe e begati.