Dita e 9 e grevës së urisë nga naftëtarët, Mehmetaj: Rilindja lë 900 familje në mëshirë të fatit

Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj akuzon se qeveria ”Rama 2” ka lënë në mëshirë të fatit më shumë se 900 familje. Teksa naftëtarët janë në ditën e 9-të të grevës së urisë, Mehmetaj thotë se ”Jepuni naftëtarëve atë që u takon, shpërblejuni djersën e sakrificën. Asnjë interes privat nuk mund e nuk duhet të jetë mbi interesin e qytetarëve tanë”,- shkruan në facebook nënkryetarja e LSI-së.

Postimi i plotë

Dita e 9 e grevës së urisë për Naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit. Dita e 9 që nuk marrin përgjigje e as garanci nga shteti. Çështë ky shtet e kjo qeveri që lë në mëshirë të fatit më shumë se 900 familje për të mbrojtur interesat e oligarkëve?

Me çfarë do i mbajnë familjet e ushqejnë fëmijët këta naftëtarë kur kanë 13 paga pa marrë? Gjyqet i kanë fituar, statusi i naftëtarit duhet ti mbrojë, por Rilindja i lë në mes të katër rrugëve. Mashtrimet e gënjeshtrat e Ramës e Rilindjes vazhdojnë, ndërkohë që zgjidhje nuk jepen. Jepuni naftëtarëve atë që u takon, shpërblejuni djersën e sakrificën. Asnjë interes privat nuk mund e nuk duhet të jetë mbi interesin e qytetarëve tanë.

Unë sot i bëj thirrje të gjitha institucioneve që duhet të zbatojnë vendimet e gjykatave të bëjnë detyrën. I bëj thirrje prokurorisë të hetojë çfarë po ndodh me pagat e naftëtarëve.

I bëj thirrje edhe partnerëve tanë ndërkombëtar, që humbin kohë me gënjeshtrat e Ramës, të interesohen për jetët e këtyre naftëtarëve. Ju siguroj se mirëqenia e tyre është më e rëndësishme se çdo hile elektorale e Edi Ramës e se një fjalë e tyre është më me peshë se të mbledhësh bashkë fjalimet e rilindjes në katër vite.

SHKARKO APP