Dita e Europës/Presidenti Meta takim me Sorecën: Aktorët të përmbushin detyrimet
Sot është Dita e Europës dhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.
”Shqipëria është sot një vend kandidat i Bashkimit Europian, që gëzon përkrahjen më masive e të palëkundur të qytetarëve në procesin e saj të integrimit”, shkruan kreu i shtetit në postimin e tij, duke shtuar se duhet të zbatohen të gjitha kushtet për nisjen e negociatave.
Nga ana tjetër, Presidenti shpreh përkushtim në përgjegjësitë si President dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të përmbushin detyrimet e tyre për një përparim të besueshëm e të qëndrueshëm në secilin prej 15 kushteve.
Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta
Kënaqësi të takohesha sot në Ditën e Europës me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, zotin Luigi Soreca. 70-vjet pas Deklaratës së Shumanit Bashkimi Europian mbetet projekti më frymëzues. Fuqia e tij buron nga vlerat themelore të lirisë, demokracisë dhe solidaritetit.
Shqipëria është sot një vend kandidat i Bashkimit Europian, që gëzon përkrahjen më masive e të palëkundur të qytetarëve në procesin e saj të integrimit.
Nuk duhet humbur asnjë minutë për të zbatuar me shpejtësi të gjitha kushtet për nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke u përqendruar tek ndërtimi i një demokracie funksionale dhe sundimi i ligjit, sikundër theksoi dhe deklarata e Zagrebit.
Jam plotësisht i përkushtuar për të marrë përgjegjësitë e mia në këtë proces si President i Republikës, dhe u bëj thirrje të gjithë aktorëve të përmbushin detyrimet e tyre për një përparim të besueshëm e të qëndrueshëm në secilin prej 15 kushteve.
Për Shqipërinë Europiane!
Sëbashku më të fortë! ?????”.