Dita e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, Presidenti Meta uron Pendarovskin
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi homologut Stevo Pendarovski për Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.
Meta thotë se bashkëpunimi mes dy vendeve shtrihet në të gjitha fushat dhe u shërben marrëdhënieve shumë të mira të fqinjësisë.
Po ashtu Meta shprehet besimplotë se Shqipëria e Maqedonia e Veriut do i kapërcejnë me sukses sfidat në procesin e anëtarësimit për në BE.
MESAZHI NGA ILIR META
I nderuar Zoti President, Shkëlqesia Juaj, Stevo Pendarovski,
Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut më lejoni, që në emrin tim dhe në emër të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të ngrohta dhe të përzemërta për Ju dhe të gjithë qytetarët e vendit Tuaj mik.
Jam i lumtur të vlerësoj ecurinë e marrëdhënieve tona shumë të mira dhe bashkëpunimin mes vendeve tona që mbështeten në vizionet, interesat dhe perspektivën e përbashkët dypalëshe, rajonale, globale, europiane dhe euroatlantike. Miqësia dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut shtrihet në të gjitha fushat dhe u shërben marrëdhënieve shumë të mira të fqinjësisë mes dy vendeve, interesave dhe të ardhmes së qytetarëve tanë.
Jam besimplotë se përpjekjet tona të përbashkëta dhe të vazhdueshme në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian të vendeve tona do t’i kapërcejnë me sukses sfidat, që ngadalësojnë e pengojnë arritjen e këtij qëllimi kaq të rëndësishëm për të ardhmen e qytetarëve tanë, por edhe të rajonit.
Jam i lumtur të vlerësoj se, e ardhmja e bashkëpunimit midis dy vendeve tona fqinje do të jetë e suksesshme falë edhe marrëdhënieve gjithnjë e më të mira ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Komuniteti maqedonas në Shqipëri dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë qenë gjithmonë mbështetës të shtet-formimit dhe të integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në Bashkimin Europian, janë ura të shëndosha miqësie dhe vlera të patjetërsueshme që duhen ruajtur, mbështetur dhe promovuar me të gjitha energjitë tona pozitive.
Me urimet më të mira për Ju, si dhe zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.