Dita e të Drejtave të Njeriut/Lindita Nikolla: Kuvendi i vendosur në mbrojtje të lirive të qytetarëve
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka dhënë një mesazh në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, duke theksuar se Kuvendi qëndron i vendosur në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vendit. Ajo tha se Shqipëria e cila prej 10 tetorit është për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB është në vijën e parë të mbrojtjes së këtyre të drejtave.
Mesazhi i plotë
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, e cila shënon gjithashtu 75-vjetorin e miratimit nga OKB të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Prej 10 tetorit 2023, Shqipëria është për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB dhe është tashmë në vijën e parë të mbrojtjes së këtyre të drejtave.
Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur në mbrojtje të të drejtave e lirive të qytetarëve, përmes modernizimit të legjislacionit, mbikqyrjes së institucioneve shtetërore dhe mbështetjes së institucioneve të pavarura.
Dita e të Drejtave të Njeriut shënon fundin e fushatës botërore dhe fushatës sonë kombëtare të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Të drejtat e grave e vajzave dhe mbrojtja e tyre nga dhuna me janë në krye të prioriteteve të Kuvendit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ne po punojmë për përmirësimin e kuadrit ligjor për mbështetjen e fuqizimit ekonomik të grave e vajzave, rritjen e aksesit të tyre në burimet e shoqërisë dhe adresimin e kësaj çështjeje si një problem i të gjithë shoqërisë.