Dita kombëtare e Rinisë, thirrja ndaj qeverisë: Na merrni seriozisht. Frenoni braktisjen e vendit
Si 32 vite më parë, por që në tjetër formë, sot në ditën Kombëtare të Rinisë, vetë të rinjtë i bëjnë thirrje politikës që të merren seriozisht me ta. Të rinjtë po e shprehin zhgënjimin duke braktisur shtëpitë e tyre. Atëherë iknin me çfarë të mundnin, nga kufijtë tokësorë, përmes ambasadave, me anije, më pas me gomone, në çdo rast duke rrezikuar seriozisht jetën.
“Është shumë jo-koherente dhe shumë shqetësuese. Në ditët e sotme po flitet jashtë zakonisht shumë nga mediat, jo vetëm shqiptare, por edhe të huaja që të rinjtë çdo ditë e më shumë po lëvizin nga vendi jonë, nga Shqipëria. Është një plagë e thellë”,-thotë Adiola Pllumbi, studente në Departamentin e Sociologjisë, Master.
Me shpresën dhe besimin se atje ku do të shkojë do të marrë diçka më shumë nga ajo që Atdheu i saj e mbi të gjitha politik-bërësit nuk i ofrojnë është edhe Raviola Kullsi. “Kjo është një temë që mua më prek në fakt. Pasi të mbaroj vitin e tretë “Bachelor” mua më duhet të largohem. Më duhet edhe mua të emigroj. Është një fenomen gjithmonë e në rritje”.
Çfarë po e shkakton këtë cikël të heshtur emigracioni i cili ka futur në një rreth vicioz të ardhmen e vendit? “Normalisht, përgjigja kryesore është punësimi. Një i ri që përfundon studimet dhe nuk gjen unë do të largohet jashtë vendit. Qoftë duke punuar edhe në profile që nuk lidhen me studimet e tyre”. Ka edhe nga ata që ndonëse të ndërgjegjshëm se fija e barit ku ka lidhur shpresat është tepër e brishtë, vijojnë të shpresojnë.