“Ditët e Bujqësisë 2025” në Lushnjë, Balluku: Produkte cilësore, eksportohen deri në Gjermani, SHBA e Japoni
Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, thotë se Panairi i Bujqësisë është shndërruar në një platformë ndërkombëtare bashkëpunimi, në një derë të hapur drejt bashkëpunimeve serioze dhe transferimit të njohurive moderne për fermerët shqiptarë. ”Panairi “Ditët e Bujqësisë 2025” po merr një tjetër përmasë këtë vit: kompanitë më të mëdha ndërkombëtare të sektorit po vijnë për herë të parë në Shqipëri, duke konfirmuar rëndësinë strategjike që ka ky aktivitet për bujqësinë kombëtare dhe më gjerë”, theksoi Balluku.
Balluku theksoi rëndësinë e futjes së teknologjisë të përparuar në këtë sektor. ”Ashtu sikurse kemi bërë me turizmin, me energjinë, me infrastrukturën dhe bujqësia nuk mund të jetë thjesht një traditë por duhet të futet në inovacion. Myzeqeja pa dyshim është “hambari i Shqipërisë”. Sado që ta shpjegosh me fjalë, vetëm kur e shikon në terren se çfarë bëjnë njerëzit, kupton se 50% në zhvillimin e sektorit ka të bëjë me mundin e njerëzve, angazhimin e tyre dhe lidhjen që kanë me tokën”, tha ajo.
Balluku informoi se fermerët kanë shtuar sipërfaqet e kultivuara me bimë mjekësore, eksportet e të cilave shkojnë sot drejt Japonisë, Kanadasë, SHBA, Gjermanisë dhe shumë vende të tjera. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e pranishme në këtë event, deklaroi se eksportet shqiptare janë më shumë se 5-fishuar dhe se rritja e eksporteve është një tregues i fuqishëm i kapaciteteve konkurruese dhe i zgjerimit strategjik në tregje të reja.
”Në 2013 ishim me 100 milionë euro eksporte në shumë pak tregje, sot jemi në 80 tregje elitare, jemi me 540 milionë euro në fund të 2024-s dhe kemi një objektiv ambicioz me 1 miliard euro në 2030-n”, theksoi ajo. Më tej ministrja Denaj e vuri theksin edhe te siguria ushqimore. ”Ne flasim për sigurinë ushqimore, flasim për një skemë të rëndësishme të mbështetjes me shumë elementë të lidhura me sigurinë ushqimore, ajo që është jo vetëm pika e grumbullimit, e përpunimit, por i gjithë zinxhiri i sistemit laboratorik”, tha ajo.
KOHA JONË SONDAZH

