Ditmir Bushati: Më shumë sesa për slogane e parulla, kemi nevojë për unitet dhe vështrim strategjik në përballimin e sfidave kombëtare

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati e cilëson 28 Nëntorin një ditë historike dhe përbashkuese e kombit shqiptar që lidhet para së gjithash me heronjtë tanë, duke nisur nga Skënderbeu tek Adem Jashari.

Ai deklaron se sot, më shumë sesa për slogane e parulla, kemi nevojë për atdhedashuri, unitet dhe vështrim strategjik në përballimin e sfidave kombëtare që na imponon koha.

28 Nëntori, dita e flamurit, është një ditë historike dhe përbashkuese e kombit shqiptar që lidhet para së gjithash me heronjtë tanë. Me Skënderbeun dhe përkushtimin e tij ndaj atdheut dhe mbrojtjes së vlerave të civilizimit perëndimor. Me Ismail Qemalin dhe baballarët e mençur të kombit, falë të cilëve Shqipëria shpalli pavarësinë dhe hodhi themelet e para të shtetndërtimit. Me luftën për flamur të Adem Jasharit dhe bijve të UÇK-së, që bën të mundur çlirimin e Kosovës.

E kaluara jonë duhet të shërbejë si burim frymëzimi për të mirën tonë të përbashkët. Sot, më shumë sesa për slogane e parulla, kemi nevojë për atdhedashuri, unitet dhe vështrim strategjik në përballimin e sfidave kombëtare që na imponon koha.

Fjalët e Ismail Qemalit gjatë aktit të shpalljes së pavarësisë tingëllojnë aktuale edhe sot: ‘të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qyetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të lIrë’. Gëzuar festën e pavarësisë🇦🇱#DitaeFlamurit”, shkruan Bushati.

SHKARKO APP