Ditmir Bushati në Public Square: Kthesa e Europës në Ballkanin Perëndimor

Zgjedhja e Shqipërisë si vend mikpritës i Samitit BE-Ballkani Perëndimor, nuk është çështje e rendit alfabetik e as rastësi, por tregues i besimit të palëkundur të partnerëve tanë, për shkak të qëndrimeve të linjëzuara që vendi ynë ka mbajtur në vazhdimësi, si pjesë e familjës euro-atlantike. Në këtë mënyrë e lexon ish-ministri për Europën dhe Punëet e Jashtme, Ditmir Bushati takimin e zhvilluar të martën në Tiranë.

Në takimin e tij të radhës në Public Square, Bushati thotë se “lufta në Ukrainë ka rritur ndërgjegjësimin për cënueshmërinë e Ballkanit Perëndimor dhe nevojën për të rishikuar procesin e anëtarësimit”, ndaj, “duke pasur parasysh këtë kontekst, zhvillimi i të parit Samit BE-Ballkan Perëndimor, në rajonin tonë, duhet lexuar si shprehje e investimit të BE-së në rajon, si pasojë e dinamikës së re të krijuar në Europë.

Ish-ministri thotë se përmbajtja e deklaratës së Samitit të Tiranës, në dallim nga ato të Sofies, Zagrebit dhe Brdos është një hap përpara, pasi jo vetëm rikonfirmon angazhimin e plotë të BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, por edhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit, bazuar në reformat e besueshme, kushtëzimin e ndershëm e rigoroz dhe meritën individuale, si një proces me interes të ndërsjellë për rajonin dhe BE-në.

Me qëllim integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së, Tregu i Përbashkët Rajonal, i dakorduar në kuadër të Procesit të Berlinit, vlerësohet si hap përgatitor. Bërja realitet sa më parë e Tregut të Përbashkët Rajonal do të stimulonte tregtinë ndër rajonale dhe do të tërhiqte më shumë investime, megjithëse duhet pranuar se kapacitetet për tregtinë ndër rajonale janë modeste.

Megjithëse Samiti BE-Ballkan Perëndimor i mbajtur në Tiranë, shënon një hap të rëndësishëm përpara, padurimi për afatizimin e procesit të anëtarësimit në BE është i madh. E njejta gjë mund të thuhet edhe për ofrimin e instrumenteve politik dhe ekonomik që mundësojnë një gjë të tillë dhe që zbusin hendekun zhvillimor, që veçse thellohet me kalimin e kohës mes nesh dhe BE-së.

Bushati thotë se “Është koha që BE-ja ta trajtojë Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj. Barra financiare e vlerësuar për anëtarët e BE-së do të varionte midis 0.014% dhe 0.026% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), apo në një shumë vjetore mes 1.6 euro dhe 10.8 euro për frymë. Kjo është një barrë e papërfillshme për BE-në, por një investimin gjeostrategjik që shoqërohet me një divident të madh politik, e që do të shënonte zgjerimin përfundimisht të sovranitetit të BE-së mbi të gjithë Europën Juglindore”.

SHKARKO APP