Do e hapë derën e PD për Yuri Kim? Sali Berisha: Të kërkojë falje për barin që u serviri demokratëve
Ish-kryeministri Sali Berisha, thotë se ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim duhet t’u kërkojë falje demokratëve për barin që u serviri. I pyetur nëse do të jetë dera e PD-së e hapur për të, Berisha tha se dera do të jetë e hapur për përfaqësuesit e vendeve mike.
“Për këtë çështje unë jam shprehur. Dera e PD është e hapur për përfaqësuesit e vendeve mike. Zonja Kim duhet t’u kërkojë ndjesë demokratëve për barin që u serviri”, u shpreh Berisha.
I ftuar në emisionin ”Zonë e Lirë”, Berisha theksoi edhe se i fton të gjithë demokratët që kanë investimin e tyre në PD, që të vazhdojnë të qëndrojnë në selinë blu.
”Parrulla për hapjen e partisë ishte për një përpjekje të fuqishme gjatë muajve të ardhshëm që kjo parti të vendosë bashkëpunim me elitën më të mirë brenda dhe jashtë vendit. Të gjithë demokratët që kanë investimin e tyre në PD i ftoj të qëndrojnë në PD për të investuar më tej në parti”.