“Do të trondisin rendin kushtetues”, Vasili: Ja çfarë tha Gjiknuri për ndryshimet kushtetuese! Rama e pranoi që është i mundur

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për zhvillimet e fundit mbi Reformën Zgjedhore.

Duke konfirmuar pjesëmarrjen në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik, Vasili akuzoi kryeministrin Edi Rama, si personin që po tenton të shkatërrojë procesin.

Sipas tij, edhe vetë negociatori socialist, Damian Gjiknuri, ishte kundër ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga opozita parlamentare, duke e pranuar se ato trondisin rendin kushtetues dhe krijojnë tollovitje në proces.

Vasili e përgëzoi Gjiknurin për këtë, duke shtuar se ai ndryshoi qëndrim pas ndërhyrjeve të Ramës, pasi kishte frikë nga ky i fundit.

Intervista:
Çfarë ndodhi në mbledhjen e fundit, ku ishte dhe Rama?
Ishte një ndër mbledhjet më joproduktive që Këshilli Politik ka bërë ndonjëherë. Edhe shfaqja e kryeministrit në të ishte e pavend. Dihet që ai nuk shkëlqen asnjëherë. Ishte një njeri i tepërt në atë vend dhe ndaj dhe u largua.

A patët debate?
Sigurisht që debate pati, por gjithcka që Rama tha kishte një lajtmotiv ‘unë kam frikë të garoj me kundërshtarët e mi, jam i mundur dhe kam gjetur një sebep, të bëj listat e hapura’. Kjo është turp, Rama duhet të përballojë frikërat. Nuk bëhet fjalë për lista të hapura, është çerek, pantallona të prera as të gjata, as të shkurtra.

Cfarë i kërkuat Ramës?
Kërkesa është vetëm një ‘mos u spërdridh më, shko e voto 5 qershorin’.

Marrëveshja e 5 qershorit po votohet sot, jeni të kënaqur me mazhorancën?
5 qershori nuk është kënaqësi, por detyrim. Nuk garanton asnjë privilegj të opozitës së bashkuar, por garanton barazi mes opozitës dhe mazhorancës. Lëshimi i vetëm që ka bërë Rama është se nuk vjedh dot. Nuk ka asnjë kërkesë specifike nga ana jonë, janë kërkesat e OSBE/ODIHR.

A do shkoni sot në mbledhjen e Këshillit Politik?
Padiskutim që do të shkojmë. Ne u kishim thënë që të mblidheshim për sot, se kishte shumë ligje për të diskutuar e miratuar. Ligjet kanë të bëjnë me shit-blerjen e votës, demaskimin e krimit, etj, pra që janë ‘zemra’ e procesit zgjedhor. Këshilli do të prodhojë produktin e tij konsensual, që ndihmon procesin zgjedhor.

A do merrni pjesë në diskutimet për ndryshimet kushtetuese?
Ky ishte një karagjozllëk politik i ‘mazhorancës biss’, pra opozitës parlamentare. Vetë Gjiknuri ka thënë në Këshill që këto drafte trondisin rendin kushtetues, krijojnë tollovitje në proces. E përgëzoj Gjiknurin për pjesën juridike, ndërsa për pjesën teknike ka qenë një dizastër i vërtetë, kuptohet nga frika e Ramës. Kur ndërhyri Rama, Gjiknuri u shfaq ai që s’duhet të ishte.

Si do reagoni, nëse mazhoranca i voton pa konsensusin tuaj ndryshimet kushtetuese?
Do shohim ç’do të bëhet me mazhorancën, do të ulet të diskutojë për çështjen konkrete, apo do t’i fshihet. Shqiptarët nuk duan mashtrime, e dinë që Rama ua ka vjedhur votat.

Nëse cenohen koalicionet, cili do të ishte qëndrimi juaj?
Ndryshimet kanë një zhvillim juridik shumë të rëndësishëm, do kërkohet prekja e Kodit Zgjedhor sërish. Kodi i sapomiratuar do të preket sërish. Gjithcka që po bën Edi Rama ka vetëm një kosto, izolimin e shqiptarëve. Izolimin e kemi provuar 45 vjet, dhe ka vetëm një faturë, mjerim, skamje. Neve na duhet hapja, ku njerëzit të jetojnë më mirë dhe të kenë dashuri më të madhe.

A do iu riktheheni protestive, nëse kalohen ndryshimet kushtetuese?
Nuk jam unë drejtuesi i opozitës, nuk marr unë vendime. Jam i lumtuar që opozita ka një drejtues kolegjial. Me principalitet dhe durim do të marrim vendime që të jenë shumë të forta.

Lidhur me koalicionet, a duhen diskutuar deri më 30 korrik?
Diskutimet nuk i sjellin asnjë të keqe demokracisë. Edi Rama është produkt i një koalicioni. Tani ai thotë të futemi si pazar, ky është bastardimi që po bën.

SHKARKO APP