“Do vijnë ditë më të zeza në shtator”, qytetari në protestë: Të ikë Rama i pari
Këtë të hënë po mbahet protesta e dytë e organizuar nga shoqëria civile e mbështetur nga partitë politike për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia nga skafi që drejtohej nga polici Arian Tase. Qytetarët janë mbledhur sërish te Ministria e Brendshme. Ata shprehen se ka shumë arsye për të protestuar dhe se shteti nuk ka derë të hapur për hallet e qytetarëve. Njëri prej tyre tha se është Edi Rama ai që duhet të iki i pari, si edhe foli për një skenar me ditë më të zeza në shtator.
“Sot jam në këtë protestë për të protestuar kundër kokëfortësisë së kryeministrit që nuk shkarkon dy ministra. Nuk kam ardhur as për të mbështetur as ndonjë forcë politike, jam qytetar i lirë, i thjeshtë. Jam kundër kësaj arrogance. Në Holandë policia qëlloi një studente dhe ministri dha dorëheqjen.
Ministrisë së Brendshme duhet t’i hiqet drejtuesi politik që është koka e gjarprit. Ministrisë së Turizmit duhet t’i hiqet Kumbaro që shiti Butrintin. Në Shqipëri po komandojnë globalistët.
Arrogancën e kryeministrit dhe kokëfortësinë e tij për ta quajtur një gjë kalimtare, e dënoj me forcën e votës dhe shpirtit. Është arrogant, i pari që duhet të japë dorëheqjen është kryeministri. Pastaj ministri Çuçi dhe Kumbaro. Është ai përgjegjësi. Prisni se do vijnë ditë më të zeza në shtator. E keqja është derë më derë. Shqiptarët kanë 30 vjet që flenë gjumë. Kur të vijë e keqja, do thonë ua ç’na gjeti, prandaj duhet të protestojmë”.