Do zgjidhet kryetari i PD-së së vulës më 29 korrik? Bardhi: Jo, ju tregoj dy shkeljet e statutit
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i cili deri më dje mbështeste grupin e Alibeajt, ku pjesë është edhe Basha, sot thotë se vendimi i miratuar nga Kryesia për zgjedhjen brenda 29 korrikut të kryetarit të ri është antistatutor dhe nuk mund të zbatohet.
Sipas Gazment Bardhit, ngërçi i parë qëndron në faktin se anëtarësinë me të drejtë vote për kryetarin e partisë e cakton një grup pune i ngritur një ngritur nga kreu i degës. Ai argumenton se aktualisht në 71 degë që ka PD në mbarë vendin, vetëm 29 prej tyre kanë kryetar të zgjedhur, teksa të tjerat vetëm pika kontakti.
Pika e dytë në shkelje të statutit për Bardhin është edhe Komisioni Zgjedhor që do të organizojë procesin, pasi pjesa më e madhe e tij përmban emra që kanë kaluar në anën e Berishës. Për të ndryshuar komisionin, për të duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar, të cilin në fakt e thërret kryetari i partisë.
“Organizimi i një procesi zgjedhor për kryetarin e partisë, në procedurën që është miratuar nga Kryesia e Partisë, bie ndesh me statutin e Partisë Demokratike. Nëse do të ishte e mundur nga pikëpamja statutore nuk kam asnjë kundërshtim. Por që unë të organizoj një proces jo transparent dhe që çon në ndarje tjetër të partisë, nuk ka për të qenë qëndrimi i sekretarit të përgjithshëm të PD”,-tha në ”A2cnn”.