Dogjani revoltohet me demokratët: Ju që nuk më votuat, më thoni ku kam gabuar

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani nuk është zgjedhur si anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj force politike në Kuvendin e thirrur në 30 prill. Ai ka kërkuar që ti japin një arsye se përse nuk e kanë votuar, duke sjellë në vëmendje se zgjedhjet e fundit parlamentare ai u votua nga 6 mijë qytetarë edhe pse ishte renditur nga fundi i listës.

Postimi i plotë

Të nderuar delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së! Nëpërmjet medias mësova se në përfundim të një numrimi “trasparent” të votave për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit kombëtar nuk paskam rezultuar fitues.

Pavarësisht rezultatit dua të falenderoj të gjithë delegatët pa përjashtim dhe ata që më votuan dhe ata që nuk më votuan pavarësisht se nuk e di sa është numri i tyre. Duke u nisur nga rezultati do ju lutesha të gjithë delegatëve të Kuvendit që nuk më kanë votuar të më shkruajnë se çfarë ka ndryshuar gjatë këtij viti?

Ku kam gabuar? Çfarë mund të bëj më mirë? Sepse siç dhe ju e dini një vit më parë si rezultat i punës tonë të përbashkët në zgjedhjet e 25 Prillit më votuan rreth 6000 qytetarë megjithëse isha i 35 në listën e Tiranës. Do ju jem shumë mirënjohës po qe se do shkruani me sinqeritet dhe trasparencë se ku kam gabuar dhe çfarë duhet të ndryshoj në marrdhëniet me Ju.

Kjo do më ndihmojë jo vetëm mua por dhe Partinë Demokratike, edhe njëherë ju falenderoj pa masë për gjithçka keni bërë për mua dhe pavarësisht kësaj une do ta respektoj vendimin tuaj dhe do të bëj gjithçka për ju se siç kam thënë në demokraci vota është e shenjtë. Në pritje të komenteve tuaja do ju jem shumë mirënjohës po qe se do më shkruani për sa kërkova.

SHKARKO APP