Dokumentari i RAI 3, Vasili: Antimafia italiane demaskon me fakte qeverinë “Rama”

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili publikon në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale dokumentarin e plotë që u publikua këtë të mërkurë nga televizioni shtetëror italian RAI 3, i cili denoncoi situatën e krimit të organizuar shqiptar, i cili është i shtrirë deri në nivelet e larta të qeverisjes.

Në një koment të shkurtër mbi videon në fjalë, Vasili i cilëson përmbajtjet e dokumentarit si fakte shumë të rënda jo vetëm të televizionit italian, por edhe të deklaruara nga zyrtarët e antimafias italiane.

“Ja faktet shumë rënda, të Antimafias italiane dhe Televizionit të mirënjohur italian RAI 3, që demaskojnë Qeverinë e kriminalizuar të Edi Ramës”, shprehet Vasili, duke publikuar më pas edhe dokumentarin e plotë të RAI 3.

Dokumentari

Gazetari italian Valerio Cataldi e mbylli dokumentarin e tij për televizionin shtetëror italian të titulluar “Narcotica” me një udhëtim në Shqipëri, ku për 5 javë rresht ka rrëfyer trafikun e drogës në trekëndëshin Meksike-Kolumbi -Shqipëri e me destinacion Italinë dhe Europën.

Sipas dokumentarit, grupet kriminale shqiptare janë fuqizuar ndjeshëm në trafikun e lëndëve narkotike, aq sa po kërkonin të blinin një nëndetëse për të të kaluar kokainën e ardhur prej Amerikës së Jugut përmes Mesdheut.

Ndër të tjera thuhet se në vitin 2017 në Shqipëri u reduktua ndjeshëm kultivimi i kanabisit, por së fundi ka një rritje të madhe të sipërfaqeve të mbjella më kanabis.

“Një e treta e territorit shqiptar është e mbjellë me kanabis”, thotë prokurori i Antimafias Nicola Gratteri.

Madje ai shkon dhe më tej duke treguar linjën e trafikut.

“Marijuana shqiptare është e modifikuar gjenetikisht e mjaft e fortë. E nga Shqipëria përmes kanalit të Otrantos, nuk trafikohet vetëm marijuanë por dhe kokainë, që grupet kriminale shqiptare e trafikojnë nga Amerika e Jugut”, thotë ai.

Por ky evidentim i realitetit nga prokurorët e njohur të Antimafias italiane, e kanë gjetur të pa përgatitur Kryeministrin Edi Rama, të cilit i hidhet poshtë propaganda e këtyre dy viteve të fundit se Shqipëria është zhdukur nga harta e vendeve kultivuese.

Reagimi i Qeverise

Pikërisht për këtë situatë, Rama ka “detyruar” dje Zëvendës Ministren e Brendshme të përgënjeshtrojë Antimafien italiane.

Nga Vlora, zëvendës ministrja Voda deklaroi se këto lajme janë të pambështetura në statistika zyrtare të shtetit shqiptar dhe as në ato të vendeve partnere. Kjo nuk është fytyra e vërtetë e Policisë së Shtetit dhe që prej vitit 2017 vendi ka bërë një progres të ndjeshëm në luftën kundër kanabisit në vend.

Duhet përgëzuar puna e policisë, janë pakësuar sipërfaqet me kanabis. Voda ka deklaruar më tej se mbi Shqipërinë po hidhet baltë e pamerituar duke theksuar se klanet mafioze shqiptare nuk mund të krahasohen me nivelin e trafikut në portet spanjolle, britanike apo turke.

Gjithashtu, Voda është shprehur se nuk kanë të dhëna që mafia afgane drejtohet nga persona shqiptarë. Sipas saj është bërë luftë e madhe dhe nga Policia e Shteti dhe janë venë në pranga persona të famshëm.

“Nuk është një lajm zyrtar kështu që institucionet duhet të referohen te institucionet. Që nga viti 2017 është e vërtetë, 2018. Me shumë fokus, me shumë vëmendje dhe përgjegjësi vazhdon një vëmendje e shtuar e Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme por edhe e gjithë institucioneve ndaj luftës së kanabisit. Më vjen shumë keq që nga një vend i vogël si Shqipëria, e cila po bën përpjekje të mëdha për të hapur negociatat në BE, shpesh herë ndoshta hidhet edhe baltë, hidhet baltë e pamerituar edhe mbi policinë e shtetit, e cila në shtator do ti nështrohet vettingut”, tha Voda.

Këto deklarata Zv. ministrja Voda i ka bërë gjatë inaugurimit të zyrës së re të “Aleat” në Vlorë, një ditë më vonë nga publikimi i dokumentarit të titulluar “Narcotica” nga gazetari italian Valerio Cataldi dhe deklaratave të prokurorit të Antimafias Nicola Gratteri.

SHKARKO APP