Donald Trump dhe Rutte në deklaratë të përbashkët: Sot marrim vendime të rëndësishme!
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe Sekretari i Përgjithsëm i NATO-s, Mark Rutte, zhvilluan sot një konferencë të përbashkët për mediat në kuadër të samitit të NATO-s në Hagë, ku fokusi ishte tek rritja e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare të aleancës.
Rutte deklaroi se “NATO do të vendosë në mënyrë unanime që vendet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të prodhimit të brendshëm bruto.”
Ai theksoi gjithashtu se kjo nismë synon një ndarje më të drejtë të barrës financiare brenda aleancës: “Kjo ka të bëjë me faktin që evropianët dhe kanadezët të paguajnë më shumë, dhe jo taksapaguesit amerikanë.”
Rutte vlerësoi presidentin amerikan për rolin e tij në shtytjen e vendeve anëtare për të përmbushur angazhimet financiare ndaj mbrojtjes: “E përgëzoj presidentin Trump për faktin që vendet e NATO-s kanë filluar të rrisin shpenzimet e mbrojtjes.”
Nga ana e tij, presidenti Trump e cilësoi zhvillimin si një arritje të përbashkët: “Është një fitore e madhe për të gjithë, mendoj, dhe së shpejti do të jemi të barabartë.”
Trump komentoi edhe armëpushimin Izrael-Iran, duke thënë se po shkon mirë. Teksa e cilësoi një fitore të madhe sulmin që kreu në Iran, tha se ky i fundit s’mund të ketë një armë bërthamore.
“Gjëja e fundit që duhet të bëjë Irani është rifillimi i programit nuklear. Tani ata duan të rimarrin veten. Irani nuk ka për të pasur një bombë bërthamore. Patëm një fitore të madhe në Iran. Fitorja ishte edhe për Iranin. Izraeli u godit rëndë ditët e fundit. Netanyahu duhet të jetë krenar për veten”, tha Trump.
Presidenti amerikan komentoi edhe nenin teksa tha: “Ne do të jemi me ta. Dhe NATO do të jetë e fortë.”
Sot është dita e dytë e Samitit të NATO-s, i cili zhvillohet në Hagë të Holandës.
KOHA JONË SONDAZH

