Donald Lu: Nëse nuk voton, mos u anko!
Ambasadori amerikan Donald Lu porositi përsëri se duhen parë mirë ato që i quan “rekorde” të kandidatëve për t’u zgjedhur në Shqipëri, referuar të shkuarës për dyshime të mundshme në përfhsirje me vepra kriminale.
“Kandidatët me të shkuar kriminale nuk duhet të kenë të ardhme politike. Ndaj, duhen parë mirë rekordet e kandidatëve”, tha ambasadori Lu.
Zoti Lu sapo i bëri komentet në Shkodër ku theksoi me kënaqësi ndërkaq se për herë të parë qyteti më i madh verior do të ketë kryetare të Bashkisë një femër.
Zoti Lu merr pjesë në takimin e organizuar nga ambasada amerikane për zgjedhjet në Shkodër me ballafaqimin e kandidateve Voltana Ademi e Partisë Demokratike opozitare dhe Keti Bazhdari e Partisë Socialiste në qeveri.
Diplomati amerikan theksoi gjithashtu se “ky është një moment historik për Shkodrën” dhe se “Shqipëria do të përfitojë nëse ka më shumë gra në politikë”.
“Shkodra po e jep shembullin dhe ne themi që të mbështetet politika e barazisë gjinore”-porositi ambasadori Lu.
Ai theksoi gjithashtu se pjesëmarrja e votuesve të rinj është e rëndësishme dhe kujtoi shprehjen e Shteteve të Bashkuara: “Nëse nuk voton, mos u anko”!
“Përballja e dy femrave është në çast historik”, “të mos i votojmë kandidatët me të shkuar kriminale”, “mos shisni votën”, vendimtare është pjesëmarrja e votuesve të rinj”-, ishin disa nga thëniet e ambasadorit Lu.
Shqipëria zhvillon zgjedhjet vendore në 21 qershor për kryetarë dhe këshilltarë bashkiakë, për herë të parë me ndarjen e re administrative dhe territoriale me 61 njesi vendore.