Donald Lu: Partitë hoqën disa të inkriminuar nga listat. Mos prisni nga të huajt

 

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, në një intervistë për revistën “Java”, e cila botohet të shtunën, shpjegon përse ai ka qenë i drejtpërdrejtë në deklarimet e tij dhe nëse kjo do të thotë një ndryshim në politikën amerikane ndaj Shqipërisë, apo thjesht pasojë e faktit që korrupsioni dhe problemet në Shqipëri janë kaq të shumta, saqë Lu nuk mund të heshtë më.
 

“Jo, nuk është një ndryshim në politikën amerikane. Ne jemi duke mbështetur në mënyrë konkrete angazhimin e Dhjetorit për të dekriminalizuar Kuvendin, për të cilin u ra dakord nga të dyja palët, si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita. Kemi hulumtuar historitë kriminale të kandidatëve për zgjedhjet vendore. Ne e kemi ndarë këtë informacion me kryetarët e partive politike, me kërkesën që ata ta verifikojnë këtë informacion dhe të ndërmarrin veprime. Ata kanë hequr disa prej këtyre emrave nga listat e kandidatëve dhe shpresojmë që do të heqin më shumë”, deklaron Donald Lu.

Por, a do t’i bëjë Ambasada e SHBA-ve publike këto emra? Donald Lu jep këtë përgjigje.

“Unë besoj, që votuesit kanë të drejtën të dinë mbi historitë kriminale të kandidatëve politikë. Por, siç thoni ju në shqip “vetëm i zoti e nxjerr gomarin nga balta”. Duke përdorur informacion të disponueshëm publikisht, partitë politike, media dhe shoqëria civile duhet të hetojnë të shkuarën kriminale të kandidatëve dhe ta ndajnë këtë informacion me votuesit. Këtë nuk mund ta bëjnë të huajt për ta. Do të shtoja edhe, që detyra e vështirë e të larguarit të kriminelëve prej politikës është përgjegjësi e institucioneve demokratike të Shqipërisë, por ata nuk mund të mbështeten për ndihmë te Shtetet e Bashkuara. Është Partia Socialiste, ajo që e përjashtoi Tom Doshin. Është prokurori juaj i Përgjithshëm, ai që ngriti akuza penale kundër Tom Doshit dhe Mark Frrokut. Janë drejtuesit e partive politike shqiptare, ata që kanë hequr disa politikanë me histori kriminale prej listave të kandidatëve. Sigurisht, ishin po këta kryetarë partish, që i vendosën ato emra në lista në fillim. Ka nevojë të bëhet më shumë, por institucionet shqiptare kanë bërë përparim të rëndësishëm. Jam i sigurt, që media, shoqëria civile vendase dhe partitë politike do ta japin këtë informacion në publik”, shprehet më tej ambasadori Lu.

I pyetur nga kryeredaktori i “Java”, Skënder Minxhozi, sesi po punon kryeministri Rama, ambasadori Lu thotë se kjo është një pyetje, së cilës duhet t’i përgjigjen shqiptarët dhe që miqtë e huaj ta shmangin. Kjo, sepse fjala është argjend, por heshtja është flori, – thekson ambasadori. I pyetur edhe për performacën e kreut të opozitës, Lulzim Basha, ambadadori Lu i është përgjigjur: Heshtja është flori.

SHKARKO APP